Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim dje që vendi të shkojë në zgjedhje. Vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme dhe kësisoj edhe Qeveria Hoti nuk është më legjitime.
Pas këtij vendimi, Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur një konferencë për media për ditën e sotme.
Nga ky subjekt kanë bërë të ditur se kryetari në Detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, do të mbajë sot konferencë për media, në orën 14:00.
Nga ky subjekt kanë thënë sot se Enver Hoxhaj do t’i prijë PDK-së në përgatitjet për zgjedhje, megjithatë s’ka specifikuar se kush do të jetë kandidat potencial për kryeministër, në rast se vendos të garojë e vetme.
“Sa i përket kryetarit, Partia Demokratike e Kosovës e ka ushtruesin e detyrës z. Enver Hoxha dhe ai do t’i prijë partisë në zgjedhje”, ka thënë deputeti Kujtim Gashi.
Në ndërkohë për sa i përket kandidatit të kësaj partie për kryeministër, Gashi theksoi se nuk është diskutuar ende.
Ai potencoi se në ditët në vijim do të ketë veprime konkrete për sa i përket këtij aspekti.
“Për çështjet tjera ende nuk kemi diskutuar, sigurisht që ditëve në vazhdim do të kemi veprime konkrete në këtë drejtim”, ka thënë më tutje ai.