Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore me një mesazh për Krishtlindjen

Aktuale

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore me një mesazh për Krishtlindjen

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës pastor, Femi Cakolli ka uruar festat e Krishtlindjes.

Në letrën e urimit të nisur me “ta la përulim vetën tonë pasi edhe perëndia përuli vetën e tij duke u ba njeri”, thuhet se dhjetori për komunitetin protestant paraqet muajin festues të Krishtlindjes.

“Dhjetori për komunitetin tonë protestant paraqet muajin festues të Krishtlindjes, prandaj edhe mbahen shërbesa, projekte, programe, e takime të shumta nëpër kishat dhe sheshet e qyteteve tona. Të krishterët tanë përgjatë këtij muaji mobilizohen që gëzimin dhe solidaritetin e tyre ta ndajnë me sa më shumë dashamirë, mirëpo kësaj radhe ke ndryshe kudo për shkak të pandemisë C-19, dhe jo vetëm kaq”, shkruhet në urimin.

Mes tjerash thuhet edhe se, “Ky vit në Kosovë, si kudo në botë, ishte me panik, çrregullim jete, kufizim të lëvizjes, ngritje të shumë pyetjeve e brengave, pat vuajte e shqetësime të reja, dhe disa e kanë përshkruar edhe si shenjë e fundit të botës. Vendi ynë po përballet ende me zhvillime të dëmshme politike e nacionale për të ardhmen e Kosovës. Gjitha këto na flasin shkoqur se si popull na duhet ta përulim vetën para Zotit dhe të pendohemi prej mëkateve e paudhësive tona. Krishtlindja na dëshmon se edhe Zoti e përuli Vetën e Tij duke marrë trajtë shërbëtori (Fil.2:7-8). Le të bëhemi pra shërbëtorë të Perëndisë, shërbëtorë për njëri-tjetrin dhe të shoqërisë e vendit tonë. Le ta përulim vetën tonë pasi vetëm kështu mund të llogarisim në Hirin dhe favorin e bollshëm të Perëndisë”.

Në urimin për festën e Krishtlindjes, shkruhet edhe se “Lindja e Jezusit është realiteti i njohur, mes qiejve e tokës, kur Fjala u bë mish (Gjn.1:14), pasi Perëndia mori trajtë njerëzore; pasi i Shenjti mori përsipër shpëtimin e njeriut. Krishtlindja është jehona e lavdisë së ushtrive të panumërta të qenieve qiellore (Lk.2:13) dhe të mbi 2.7 miliardë të krishterëve në botë dhe kështu bëhet festa më masovike në botë duke kumtuar lajmin e mirë (ungjillin) për lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit: Jezusi u lind – me të vërtetë u lind! Emri i Tij është Emanuel (Zoti me ne)! Krishtlindja është përmbushja e qindra profecive biblike dhe përmbushja e shpresës së gjallë. Gjithë historia e Krishtit përmblidhet me tri fjalë: histori Hiri, histori Ungjilli, histori Dashurie. Krishtlindja është besa e mbajtur nga Zoti për mijëra vjet ndaj njeriut. Ai nuk e hodhi poshtë kurrë asnjë premtim për ne edhe pse ne ishim bërë shkapërdarësit. Le të na kujtojë Krishtlindja se Zoti do ta kthejë fytyrën e Tij neve! Për shumë mot Krishtlindja gjithë të krishterëve të vendit tonë dhe popullit tonë që është jashtë Kosovës! Bekoni dhe mos mallkoni! Krishti është shkëlqimi i lavdisë së Atit Perëndi dhe vula e qenies së Tij (Heb.1:3). Le të festojmë me zemër e begatime por duke e ruajtur dhe duke u kujdesur për tjetrin. Prandaj, edhe thërrasim për paqe, shërim dhe jetë në Kosovë! Amen!”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat