Gjykata Kushtetuese gjatë ditës së djeshme ka rrëzuar Qeverinë Hoti, dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.
E që nga publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga kryeministri Avdullah Hoti nuk ka pasur asnjë reagim.
Por para pak minutash, Hoti është lajmëruar nga zyra e tij në kryeministri, ku ka bërë të ditur se komuniteti i biznesit kërkon që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021.
Postimi i plotë nga Hoti:
Komuniteti i biznesit kërkon që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021
Sot zhvillova një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend, të cilët i informova në hollësi me masat e reja anti Covid-19, që pritet të miratohen nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi nga data 23 dhjetor 2020.
Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja anti Covid-19 dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021. I sigurova ata se jam në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohem maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratoj buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.
U pajtuam se buxheti është parakusht për krijim e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje ndaj bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19.