Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, para disa ditësh është gjobitur nga policia e Kosovës, për shkak se ishte ndaluar gjatë orës policore.
Selimi tha se ishte ndaluar pas orës 20:00, dhe se nuk e dinë nëse polici e kishte njohur atë, pasi ky i fundit i kishte thënë se duhet t’i shkruaj një dënim për shkak që ka shkelur Ligjin COVID-19.
Selimi tha se për shkak të sjelljes profesionale të policit ka pranuar të paguaj këtë dënim përkundër që sipas vendimit të marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës ai është i liruar nga kufizimi i lëvizjes.
“E vërtetë që unë e kam marrë një dënim edhe pse institucionet e drejtësisë janë të përjashtuara nga vendimi i Qeverisë. Por për shkak të sjelljes profesionale të Gentianit, e policisë e kam pranuar atë. Policinë e kam pikë të dobët. Nuk e di nëse më ka njohur, por më ka thënë se jam jashtë në orë policore dhe duhet të ma shkruaj një dënim”, ka deklaruar Selimi.