(E plotësuar 11:18) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa thotë se ende nuk e kanë diskutuar emrin e kandidatit për kryeministër, por siç tha ai vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë pritur. Këto komente Mustafa i bëri me rastin e 31 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku i shoqëruar me anëtarët e kryesisë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa tha se fillimisht Kuvendi i Kosovës duhet që të votojë buxhetin e vitit 2021 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare për t’i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Mustafa: Nuk kemi përmendur askënd për kandidat për kryeministër
“Ne nuk kemi përmendur askënd sepse nuk jemi ulur akoma, ne po presim mbi bazën e asaj që deklaroi edhe kryeministri Hoti dje që të mblidhet edhe njëherë Kuvendi dhe të aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që domosdo duhet të miratohen nga buxheti i Kosovës, të shpallim zgjedhjet dhe pastaj në momentin kur shpallim zgjedhjet do mbledhim organet tona dhe do diskutojmë në mënyrë institucionale dhe jo në bazën e përmendjeve dhe dëshirave personale sepse megjithatë jemi parti institucionale dhe ne çdo gjë e dërgojmë në institucionet dhe organet tona”, tha ai.
Kurse, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, ai tha se një vendim të tillë nuk e kanë pritur, por që do ta respektojnë.
Vendimin e Kushtetueses, Mustafa thotë se duhet ta respektojë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nëse i ndalohet kandidimi.
Mustafa: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk e kemi pritur
“Nuk bëjë komente sepse nuk e shkruaj ligjin as Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka dhënë vlerësimin e vetë, kjo gjë duhet të sqarohet ai që ka të drejtë të konkurroj për deputet duhet t’i hapet rruga të konkurroj. Ai që nuk ka të drejtë mbi bazën e këtij aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektojë atë ashtu siç po e respektojmë ne një vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilin nuk e kemi pritur ka ardhur dhe si i tillë tani po e respektojmë“, theksoi Mustafa.
Në ditëlindjen e 31 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili e udhëheqë këtë parti tha se mburren me të arriturat e kësaj partie e cila u formua si kundërpërgjigje e një sistemi i cili ushtronte dhunë e gjenocid në Kosovë.
Mustafa: Si LDK mburremi me të arriturat tona
“Shënojmë një ditë të madhe, një ditë kur intelektualët e Kosovës janë bërë bashkë për të krijuar një parti të parën pluraliste në Kosovë, si kundërpërgjigje e sistemit i cili ka ushtruar dhunë, gjenocid dhe urrejtje nga shqiptarëve këtu. Dhe po ashtu si kundërpërgjigje të orientimit të Kosovës pro vlerave evropiane dhe euroatlantike. Si Lidhje Demokratike e Kosovës mburremi me të arriturat tona gjatë gjithë kësaj periudhe me vlerat tona të solidaritetit të brendshëm, mirëkuptimit dhe me ndjenjën që ne gjithmonë e ushtrojmë për shtet ndërtimin e Kosovës”, tha kreu i LDK-së.
Gjykata Kushtetuese të hënën ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor./
***
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka çuar një porosi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi.
Me rënien e Qeverisë “Hoti”, u tha se disa politikanë përfshirë këtu edhe Kurtin nuk mund të kandidojnë për deputet për shkak të dënimit nga Gjykata.
Lidhur me këtë gjë është deklaruar edhe Mustafa.
Ai i ka kërkuar kreut të VV-së që ta respektojë vendimin e Kushtetueses në rast se atij i ndalohet kandidimi.
Këto komente Mustafa i bëri gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova për nder të 31-vjetorit të themelimit të LDK-së.
Mustafa: Kandidatin për kryeministër e vendosim pas shpalljes së zgjedhjeve
Me rastin e 31 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kryesia e këtij subjekti kanë bërë homazhe te varri i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Kryetari i LDK-së, Isa Muatafa tha se kjo parti u themelua si kundërpërgjigje të sistemit që ka ushtruar dhunë.
Ai tha se mburret me punën që është bërë tash e 31 vite.
I pyetur se kush do jetë kandidati për kryeministër, kreu i LDK-së tha se akoma nuk kanë zgjedhur një emër.
”Ne nuk kemi përmendur askënd ne po presim mbi bazën e asaj që tha Kryeministri Avdullah Hoti dje, që të mblidhet Kuvendi, dhe ta aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që domosdo duhet të aprovohen e të shpallim zgjedhjet”.
”Dhe pastaj në momentin kur shpallim zgjedhjet, do mbledhim organet tona dhe do diskutojmë në mënyrë institucionale dhe jo në bazë të përmendjeve dhe dëshirave personale sepse kemi parti institucionale”, tha ai.
Kurse, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pikën ku e saktëson se kush mund të kandidojë për deputet Isa Mustafa tha se vendimet e gjykatës nuk i komenton, por shtoi se ai qe duhet të kandidojë në bazë të këtij vendimi të kandidojë por ata që nuk munden duhet ta respektojnë këtë vendim.