Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri ka thënë se kjo parti nuk është përcaktuar ende për kandidatin për kryeministër të Kosovës.
Në një bisedë, Gaxherri ka shtuar se LDK përpara se të shkohet në zgjedhje, do të provojë që të miratohet së pari buxhetit për vitin 2021.
“Jemi të gatshëm tani dhe çdo herë të shkojmë në zgjedhje. LDK nuk është përcaktuar për kandidatin për kryeministër pasi është ende herët për një gjë të tillë. Janë disa procese tjera, derisa LDK prapë do të bëjë përpjekje para se me shkua në zgjedhje të kryhen së paku buxheti për vitin 2021 dhe disa pika tjera që janë të rëndësishme për qytetarët”, është shprehur ajo.
Gaxherri duke folur edhe për sondazhin e fundit të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e që i njëjti nxirrte partinë e Kurtit si fituese absolute, ka thënë se kjo formë e popullizimit, siç ka thënë ajo, s’e praktikon LDK-ja.
“Nuk merremi me sondazhe të tilla të Vetëvendosjes dhe asnjë partie tjetër, ne bëjmë punën tonë, pasi në këtë kohë bëhet popullizëm sidomos nga Vetëvendosja, PDK e të tjerët. LDK s’e ka këtë mënyrë të punës dhe strategji. Neve shpresojmë që qytetarët të na besojnë sepse janë të vetëdijshëm se pa LDK-në Kosova nuk ec përpara”, ka thënë Gaxherri.
Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka thënë se nga sondazhi i realizuar del se Vetëvendosje do t’i ketë 55 deputetë.
Sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Hetem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.