Arsyet përse zgjedhjet rikthejnë paqen në Kosovë!

Aktuale

Arsyet përse zgjedhjet rikthejnë paqen në Kosovë!

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 14:24
Ilustrim

Ka një numër kasandrash mediatike që po rreken të hedhin në eter, qasjet se edhe zgjedhjet që do të zhvillohen pas një muaji në Kosovë, nuk do të sjellin asnjë gjë të re, përkundrazi do të riciklojnë krizën e konfliktin politik.

Në të vërtetë, jemi në të gjitha kushtet që të ndodhë plotësisht e kundërta; politika e Kosovës do të përjetojë sipas të gjitha gjasave një stinë të gjatë paqeje.

Mjafton të analizosh faktorët e zhvillimet, por edhe qëndrimet politike të mbajtura në ditët e fundit nga aktorët politik.

Gjëja më lehtë e parashikueshme në këto zgjedhje është fitorja e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, çka është parë edhe në sondazhe, edhe në zgjedhjet test të Podujevës, por edhe si frymë e përgjithshme.

Vetëvendosja shkojnë në parashikime nga 50-60% që sipas të gjitha gjasave janë më shumë entuziazëm partiak për të sjellë karikimin e mbështetësve.

Nga ana tjetër, kritikët e Kurtit thonë që Vetëvendosja nuk do të marrë 50% të vendeve në Kuvend dhe kështu nuk do të mund të bëjë koalicion me askënd.

Në fakt, mundësia që Vetëvendosja të mos marrë 50% së bashku me Vjosa Osmanin edhe qëndron, por kjo nuk sjell asnjë tronditje, thjesht një rrjedhë normale politike. Gjasat janë që LDK të ulet mjaft, por gjithsesi duhen pritur zgjedhjet për të parë si e sa.

Kësaj radhe, të gjithë e presin një fitore të Vetëvendosjes dhe nuk ekziston më konflikti për ta rrëzuar vullnetin popullor; e para se kemi të bëjmë me një konfirmim të fortë pas 1 viti të votës popullore dhe një vullnet ndërkombëtar komplet të ndryshuar, kësaj radhe jo armiqësor ndaj një qeverie me Albin Kurtin, por përkundrazi me besim të shtuar.

Albini ishte i vetmi politikan i Kosovës që përkrahu fuqishëm Joe Biden dhe demokratët në SHBA, si dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me Angela Merkelin.

Nga ana tjetër, asnjë parti politike në Kosovë nuk ka problem që të bëjë koalicion me Vetëvendosjen nëse kjo del parti e parë.

Nëse nuk do ta bënin, atëherë forcat e tyre do të zhdukeshin përfundimisht nga skena politike.

Ndërkaq, edhe Vetëvendosje ka hequr të ashtuquajturat “vija të kuqe” tani që Hashim Thaçi është larguar nga pushteti.

Madje, Glauk Konjufca, numri dy i Vetëvendosjes e bëri të qartë mundësinë e një koalicioni VV-PDK pas zgjedhjeve të parakohshme.

Por edhe nga LDK do të ketë zhvillime mjaft të rëndësishme; nëse Isa Mustafa nuk del parti e parë ai do të japë dorëheqjen sipas të gjitha gjasave duke u larguar nga politika përfundimisht.

E ky largim i hap rrugën bashkëpunimit të natyrshëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, siç e ka parashikuar edhe nënkryetari i kësaj force politike Lutfi Haziri, i cili është i vetmi që mban raporte të mira me Vjosa Osmanin.

Sa për Ramushin, dihet se nëse do të ishte në kombinim të AAK-së, ky i fundit nuk do ta kishte fare problem një koalicion me Albinin, edhe për arsye se e ka provuar se e vetmja mënyrë mbijetese e partisë së tij është pasja e një dere pushteti.

E si rezultante e të gjithave, pra pozitivja e këtyre zgjedhjeve është se Lista Serbe është në listën e zezë e të gjitha grupimeve, pasi ajo konsiderohet tashmë si dora më e rëndësishme e pushtetit që ka ndikuar në qeverisjet e Kosovës e ndaj duhet mundur. Që do të thotë se edhe nëse i merr 10 votat e serbëve në Kuvend çka është e mundur, ajo nuk do të thirret në qeveri dhe këtë nuk e çon askush në mendje. Bashkë me Thaçin është larguar përfundimisht dhe faktori që për 20 vjet nuk është ndarë nga pushteti në Kosovë; Lista Serbe. Ja këto janë faktorët që sjellin paqe në zgjedhjet e reja të Kosovës…/Pamfleti

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat