Krasniqi për sondazhin e VV-së: Përrallave të tyre s’u besojnë më as militantët e tyre

Aktuale

Krasniqi për sondazhin e VV-së: Përrallave të tyre s’u besojnë më as militantët e tyre

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 15:00
Memli Krasniqi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar sondazhin e fundit të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e që i njëjti nxirrte partinë e Kurtit si fituese absolute.

Në një përgjigje, Krasniqi ka këtë sondazh e ka quajtur përrallë, teksa ka shtuar se kësaj, siç ka thënë ai, s’u besojnë as simpatizantë të Vetëvendosjes.

“Përrallat e VV-së për numrat e deputetëve nuk i besojnë më as militantët e tyre. Aq më shumë kur vijnë prej atyre që mashtronin opinionin publik me deklarata se kanë ulur papunësinë në mes të pandemisë, kur mijëra qytetarë patën humbur vendet e tyre të punës. Projeksionet e tyre për numër të deputetëve janë po aq të sakta sa pretendimet e tyre qesharake për uljen e papunësisë”, ka thënë ai.

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka thënë se nga sondazhi i realizuar del se Vetëvendosje do t’i ketë 55 deputetë.

Sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Hetem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat