Zyrtari i LDK-së reagon ndaj propagandave zgjedhore, ka një mesazh për Osmanin dhe Kurtin

Aktuale

Zyrtari i LDK-së reagon ndaj propagandave zgjedhore, ka një mesazh për Osmanin dhe Kurtin

Nga: A.Morina Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 16:04
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deklaratave se LDK do të pësoj rënie të madhe të votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gecaj të gjitha këto deklarata dhe sllogane ndaj LDK-së i cilëson propaganda ndaj kësaj partie, me qëllim të vetëm  krijimin e rrethanave të volitshme në të cilat ata vetë por edhe votuesi i LDK-së t’u besojnë këtyre gënjeshtrave e shtrembërimeve, sipas të cilave LVV është e pa-sfidueshme.

"Ky vend nuk do të ishte ky që është pa veprimtarinë 31-vjeçare të aktivistëve, intelektualëve, patriotëve e luftëtarëve të organizuar dhe të mbledhur rreth LDK-së. Xhonturqit si Vjosa Osmani kanë qenë në vazhdimësi dukuri kaluese për shtëpinë tonë të madhe. Është hipokrizi e kulluar dhe krejtësisht e pamoralshme kur shohim tentimin e vjedhjes së simboleve dhe frymës rugoviane nga ajo që tërë karrierën e ndërtoi duke e dëmtuar mu atë frymë dhe shtëpinë e mu asaj filozofie", shkroi Gecaj në facebook, përcjell "Bota sot".

Postimi i plotë

LDK nuk e njeh fenomenin e inferioritetit!

Që nga themelimi, LDK-në e ka përcjellë një propagandë e ashpër kundërshtuese për vetë faktin se kishte organizuar dhe bashkuar popullin si asnjë lëvizje më parë. Ishte bërë halë në sy si për armikun ashtu edhe për kundërshtarët xhelozë dhe ata të shitur!

Sloganet si, “LDK nuk ka qenë asnjëherë më keq”, “LDK do të dalë partia e parë nga fundi”, “LDK duhet të reformohet”, e të ngjashme, tanimë janë shndërruar në propagandë të sprovuar!

Madje unë mbaj mend se fjalë të tilla, deri në akuza tradhtie, artikuloheshin edhe në drejtim të themeluesit të shtetit të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, në veçanti nga individë si Albin Kurti, partneri politik më të cilin është mishëruar si një Vjosa Osmani, e i cili asnjëherë nuk e mori mundin ta nderoi ikonën tonë kombëtare.

Propaganda e ashpër të cilën po e dëgjojmë nga kundërshtarët, sondazhistët e analistët ka vetëm një qëllim: krijimin e rrethanave të volitshme në të cilat ata vetë por edhe votuesi i LDK-së t’u besojnë këtyre gënjeshtrave e shtrembërimeve, sipas të cilave LVV është e pa-sfidueshme, dhe rrjedhimisht të shkaktojnë dorëzimin tonë të parakohshëm.

Ky vend nuk do të ishte ky që është pa veprimtarinë 31-vjeçare të aktivistëve, intelektualëve, patriotëve e luftëtarëve të organizuar dhe të mbledhur rreth LDK-së. Xhonturqit si Vjosa Osmani kanë qenë në vazhdimësi dukuri kaluese për shtëpinë tonë të madhe. Është hipokrizi e kulluar dhe krejtësisht e pamoralshme kur shohim tentimin e vjedhjes së simboleve dhe frymës rugoviane nga ajo që tërë karrierën e ndërtoi duke e dëmtuar mu atë frymë dhe shtëpinë e mu asaj filozofie.

Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të bimë pre e kësaj propagande dhe të sillemi inferiorë e të pushtuar nga pesimizmi. LDK ka qenë dhe ende mbetet partia kryesore shtete-formuese, pa të cilën nuk paramendohet as rruga drejt integrimeve euro-atlantike. Prandaj, me rëndësi është që ne të shohim punët tona dhe interesin e qytetarëve, e të mobilizohemi si kurrë më parë. Me ne merren bash të gjithë dhe çdoherë mu për faktin se ende mbesim halë në sy për kundërshtarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat