Serbia e ka nisur sot vaksinimin e qytetarëve të veriut të Kosovës.
Se për një gjë të tillë nuk ishin të informuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi e ka konfirmuar deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu që është anëtar i këtij komisioni.
“Në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi është diskutuar një raport për vaksinimin në tërë Republikën e Kosovës që është një detyrim ligjor sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19 dhe se do të ketë një shkelje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nuk në veri, sërish në pandemi, e kemi besuar se do të ndodhë. Nuk kemi pasë informacion e as raportim nga Ministri i Shëndetësisë për një gjë të tillë”.
Ai ka bërë një ndërlidhje të vaksinimit në veri me 1000 testet e ardhura nga Serbia gjatë qeverisjes së Albin Kurtit duke thënë se në të dyja rastet
“Kjo heshtje e Qeverisë së Kosovës tani me vaksinimin, ashtu siç ndodhi njëjtë me 1000 testet e Serbisë donacion për Kosovën duke shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe kushtetuese, është mundësi që Serbia po e shfrytëzon që gjatë pandemisë të shkelë sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Është shqetësuese neglizhenca e institucioneve të Kosovës dhe paaftësia e tyre që të reagojnë në situatë të tillë”.
Haxhiu ka thënë se ky vaksinim është ilegal, derisa ka sqaruar se një gjë e tillë nuk e ka marrë lejen nga Agjencioni Kosovar për Produkte Mjekësore që është një veprim i domosdoshëm për secilin produkt mjekësor që hyn në Kosovë.
“Asnjë vaksinë dhe asnjë produkt mjekësor nuk mund të hyjë në Kosovë pa e pasë lejen nga Agjencioni Kosovar për Produkte Mjekësore. Çdo produkt mjekësor i cili hyn në Kosovë dhe përdoret për qytetarët e Kosovës nëse nuk e ka lejen e importit nga ky agjencion është veprim ilegal. Doganat e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk do të guxonin që të lejojnë që të hyjë në kufi ndonjë vaksinë, apo produkt tjetër mjekësor i cili nuk ka marrë leje paraprake dhe licensën nga Agjencioni Kosovar për Produkte Mjekësor. Krejt kjo çfarë po ndodh në veri është veprim ilegal. Ajo çka po ndodh në veri është vaksinim ilegal, sepse nuk e ka lejen e këtij agjencioni”.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi ka thënë se ka kontaktuar me këtë agjencion dhe të njëjtit e kanë konfirmuar se nuk kanë pranuar asnjë aplikim nga asnjë institucion shëndetësor, qoftë publik apo privat, për licensimin e vaksinës.