Allen Meta, hulumtues në D4D, në Interaktiv ka thënë se sa i përket vitit 2020, dialogu ka qenë një temë e rëndësishme për Kosovën ndërsa sfiduese, ka qenë çështja me pandeminë.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, thotë Meta, pret të ketë një qeveri stabile. Dhe dialogu, të jetë prioritet, tha ai.
“Zgjedhjet e reja do të ndryshojnë skenën politike dhe shpresojmë se në një të ardhme të afërt të konsolidojnë sa më mirë, sepse kemi vakum në disa institucione. Pas zgjedhjeve të parakohshme, besojmë të ketë qeveri stabile”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka pasur hezitim sa i përket dialogut, ndërkaq ajo e Hotit jo.
“Sa i përket Qeverisë Hoti nuk pati hezitim. Edhe marrëveshja në Washington edhe vazhdimi i dialogut ka qenë shumë i rëndësishëm, kjo edhe për Qeverinë Hoti. Pas zgjedhjeve duhet fokusuar më shumë rreth dialogut. Është çështje që e ka ndërlikuar Kosovën. Presim marrëveshje normale me njohje reciproke”, u shpreh tutje ai.
Sipas hulumtuesit në Demokraci për Zhvillim, dialogu nuk është opsion për cilëndo qeveri por domosdoshmëri.
“Duhet fokus por të mos ketë nguti”, tha më tej ai duke shtuar se është e rëndësishme të ketë bashkëpunim mes të gjitha partive politike për çështjen e dialogut.
Meta ka thënë se partitë politike, VV-LDK-PDK-AAK, të bëhen bashkë në një tryezë që të flasin për një dialog dinjitoz.