Analisti Baton Haxhiu, mbrëmë ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se liderit të saj Albin Kurtit, i mungon guximi.
Haxhiu në një emision televiziv, ka thënë se dëshira e tij është që zgjedhjet e reja të fitojë Kurti, në mënyrë që qytetarët ta njohin më mirë.
Sipas tij, Kurti ka karakter të dobët dhe nuk ka guxim për të vendosur asgjë.
“Dëshira ime është që të fitoj Albin Kurti dhe të merr të gjitha, më e mira do të ishte të votohet nga partitë politike, kjo është ajo që e dënon më së shumti atë. Albin Kurti s’ka guxim, ai ka guxim vetëm para kamerave, ka karakter të dobët, ai nuk ka guxim për të vendosur për asgjë”, ka thënë Haxhiu.
Atij për këtë deklaratë i ka reaguar Vetëvendosje. Adnan Rrustemi nga VV-ja, ka thënë se kjo parti po sulmohet në mënyrë të organizuar.
Por, sipas tij, efekti do të jetë i kundërt, pasi “Batoni me shokë” do të marrin përgjigjen nga qytetarët, përcjell Bota sot.
Postimi i Rrustemit në Facebook:
Lëvizja shpesh është sulmuar në mënyrë të organizuar, por efekti ka qenë i kundërt nga qëllimi i fabrikuesve. Kësaj here do ta kenë shumëfish më të kundërt. Këtë e dinë Batoni me shokë në Tiranë e Prishtinë. Megjithatë dhe përkundër, ata e kanë shtuar fushatën, sepse për të humbur tanimë kanë humbur, por të mbyllur në dëshpërim, kanë intensifikuar sulmet si sulmi i fundit. Ama kot e kanë, përsëri të kundërtën do ta marrin si përgjigje nga qytetarët.