Qeveria e Kosovës tha të shtunën se nuk ka ndonjë informatë nga Doganat dhe policia se në veriun e vendit kanë hyrë vaksina kundër COVID-19, të dërguara nga Serbia për vaksinimin e qytetarëve serbë në atë zonë.
Mediet lokale serbe në veri të Kosovës shpërndanë video të qytetarëve duke pritur në radhë për t’u vaksinuar, një ditë pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka filluar vaksinimi i qytetarëve në veri të Kosovës me vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer/BioNTech.
Qeveria e Kosovës tha se institucionet nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje as nëpërmjet zyrave ndërlidhëse dhe as përmes ndërmjetësimit të institucioneve ndërkombëtare.
“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës duke nënvizuar se çdo produkt mjekësor që hyn në Kosovë duhet t’u nënshtrohet rregullave të importit.
Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, kritikoi qeverinë duke theksuar se vaksinimi kundër COVID-19 në veri të Kosovës nga qeveria e Serbisë, është një goditje për sovranitetin dhe fyerje e rëndë për qytetarët e Kosovës.
“Është e domosdoshme që kryeministri Hoti të sqarojë para qytetarëve të Kosovës se si (Aleksandër)Vuçiç nga Beogradi filloi vaksinimin e qytetarëve në veri të Kosovës? Pse ky reagim i ngathët përballë shkeljes së sovranitetit? Është e rëndë dhe e pafalshme të shohim se si dy kryeministrat, Hoti dhe (Albin) Kurti, u strukën para Vuçiçit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë, nga shumë breza. Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër COVID-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës”, tha të shtunën në një konference me gazetarë, sekretari i kësaj partie, Uran Ismaili.
Vaksinat e para të kompanisë Pfizer/BioNTech, kanë arritur në Serbi më 22 dhjetor dhe një pjesë të tyre autoritete serbe thanë se e kanë dërguar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Kosova ende nuk ka siguruar vaksinën, ndërsa autoritete shpresojnë që të jenë në mesin e vendeve të para që do ta marrin atë përmes programit COVAX, që ka premtuar 360 mijë doza për Kosovën, ndërsa të tjerat duhet t’i blejë vet.
Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar se pranvera mund të jetë periudhë kur mund të fillojë vaksinimi në Kosovë, ku deri të shtunën janë konfirmuar 50 mijë e 405 raste të të prekurve nga COVID-19, ndërsa 1 mijë e 305 veta kanë humbur jetën.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 270 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi./VOA