Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një raport të titulluar “Politikë e ‘kriminalizuar’”, në të cilin është paraqitur një listë me numrin e zyrtarëve komunalë të partive politike që kanë probleme me ligjin.
Raporti thotë se Partia Demokratike e Kosovës prin me zyrtarë të akuzuar (69 të tillë), Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 41 zyrtarë të akuzuar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 16, Nisma me 13 dhe në vendin e pestë renditen Lëvizja Vetëvendosje me 9 zyrtarë të akuzuar në nivel lokal.
Publikimi i këtij raporti ka nxitur reagime nga Lëvizja Vetëvendosje. Anëtarja e Kryesisë së LVV-së Albulena Haxhiu, ka akuzuar mediat se nuk po tregohen profesionale.
![Image](/media/botasot.info/images/2020/December/26/auto_a11609015823.jpg)
“Kjo nuk është as gazetari dhe as nuk ka të bëjë asgjë me profesionalizmin!”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Ndaj lajmit ka reaguar edhe Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Albin Kurtit. Edhe ai ka akuzuar mediat se lajmin e kanë shkruar vetëm për VV-në, duke e ilustruar vetëm me fotografinë e Albin Kurtit, e jo të liderëve të partive tjera, që prijnë në listë.
![Image](/media/botasot.info/images/2020/December/26/auto_a21609015825.jpg)
Postimi i tij:
Qenka publikuar një raport i titulluar “Politikë e ‘kriminalizuar’”, në të cilin mes tjerash qenka edhe një listë me numrin e zyrtarëve komunalë të partive politike që kanë probleme me ligjin.
Një ‘medium’ i afërt me partitë politikë që e sunduan Kosovën për këto dy dekada, paska publikuar një artikull për këtë raport, të shoqëruar me fotografinë e liderit të LVV-së, me titull:
“Politikë e ‘kriminalizuar'”, Vetëvendosje me 9 zyrtarë të akuzuar në nivel lokal
Por, raporti po thotë që zyrtarë të akuzuar në nivel lokal, PDK i ka 69, LDK 41, AAK 16, NISMA 13, e LVV 9.
Në titull të këtij artikulli nuk është as PDK, as LDK, as AAK, e as NISMA, por LVV, dhe në fotografinë që e shoqëron këtë artikull nuk është as lideri i PDK-së, as i LDK-së, as i AAK-së e as i NISMA-s, por i LVV-së.
![Image](/media/botasot.info/images/2020/December/26/auto_133970586_10160475226273294_3283620988849242188_o1609015827.jpg)