Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë thirrje për deputetët e Kuvendit që ta votojnë Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021.
Gashi ka thënë se këto ligje tashmë nuk janë ligje për një qeveri apo për një koalicion qeverisës, pasi që sipas tij, me votimin e tyre votohet për stabilitetin financiar të vendit.
Ai thekson në fund se partia e tij është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë, përcjell “Bota sot”.
Ja shkrimi i tij në Facebook:
Nesër në ora 11:00 është në procedurë Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare shumë me interes për Kosoven.
Keto ligje tashmë nuk janë ligje për një qeveri apo për një koalicion qeverisës; nesër votohet për stabilitetin financiar të vendit.
Është përgjegjësi e secilit deputet dhe grup parlamentar që përtej interesit politik ditor, ta vendos stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
Muajt në vazhdim do të karakterizohen nga një krizë e thellë institucionale - kërkohet përgjegjësi dhe pjekuri politike nga ne!
LDK është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë!