Udhëheqësit lokalë të LDK’së kanë dëgjuar një raportim të Kryeministrit Avdullah Hotit për punën e Qeverisë dhe mënyrën se si po shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Aty, nuk kanë folur për emrin e Kryeministrit të ri që do të propozohet nga partia e Isa Mustafës. Kryetari i Degës së Kamenicës, Jeton Biçkaj, ka dhënë detaje se çka u diskutua në mbledhjen e LDK-së e kryesuar nga Avdullah Hoti.
Në mbledhjen që zgjati rreth dy orë, sipas Biçkajt u fol për punën e qeverisë dhe përgatitjet për zgjedhje.
“Realisht është raportu nga kryeministri Hoti për punën e Qeverisë…Kemi folë që të përgatitemi për zgjedhje dhe jemi në proces të zgjedhjes së kandidatit për kryeministër, është përgatitje për zgjedhje”, tha Biçkaj.
I pyetur se cilat janë emrat e përmenduar për kandidat të LDK-së për kryeministër, ai tha “nuk është përmendur asnjë emër për kandidat për kryeministër”.
“Nuk kemi pas ndonjë qëndrim, përveç që është vlerësu puna e qeverisë, sfidat dhe përgatitjet për zgjedhje”, shtoi ai.
Tutje ai tha se debati ishte produktiv dhe mbledhja ka zgjatur rreth dy orë.
“Debat ka pasur brenda, ka pasur diskutime, ka qenë debat produktiv, mbledhja ka zgjatë rreth 2 orë”, tha ai tutje.
I pyetur nëse Biçkaj përkrahë Hotin edhe për një mandat për kryeministër apo ndonjë emër tjetër nga LDK, ai tha se nuk dëshiron të pozicionohet tash.
“Nuk e shoh të arsyshme me u pozicionu dhe me jep emra, besoj kryesia del me një propozim më konkret, nuk kam ndonjë emër të përveçëm, ka mjaftë kuadro LDK. Besoj bashkë në parti do të vendosim cili do të jetë kandidati për kryeministër”.
LDK nuk e ka propozuar akoma kandidatin për kryeministër, si emra të mundshëm janë përmendur Avdullah Hoti e Lumir Abdixhiku, ku i fundit nuk është prononcuar akoma për media. Ndërsa, sot Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ka deklaruar se është i gatshëm të kandidojë për kryeministër, nëse LDK e propozon.
PDK do të shkojë në zgjedhje me Enver Hoxhajn kandidat për kryeministër, ndërsa nuk dihet nëse partitë politike do të hyjnë në ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor, aktualisht ato nuk kanë “vija të kuqe”, për askënd.