​Kuvendi miratoi në parim buxhetin për vitin 2021

Aktuale

​Kuvendi miratoi në parim buxhetin për vitin 2021

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 07:53

(E plotësuar 16:06) - ​Kuvendi ratifikoi dy marrëveshje ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me vota unanime dy marrëveshje ndërkombëtare.

Të zgjedhurit e popullit miratuan fillimisht marrëveshjen për kredi të likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale ndërmjet Kosovës dhe BERZh-it.

Kryesuesja e Kuvendit, Arbërie Nagavci tha se për këtë projektligj votuan 89 deputetë.

Nagavci: Në votim kanë marrë pjesë 89 deputetë, të gjithë janë vota për

“Në votim kanë marrë pjesë 89 deputetë, të gjithë janë vota për. Rrjedhimisht Kuvendi e miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it”, tha ajo.

Numër i njëjtë i votave të deputetëve ishin edhe për miratimin e marrëveshjes tjetër ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e ujërave të zeza në Gjilan.

Kurse në mungesë të vendimmarrjes, Kuvendi dështoi të miratoi marrëveshjen tjetër ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, lidhur me financimin e programit nxitja dhe mundësitë për sigurimin e ujit.

***

Haxhiu me akuza ndaj Osmanit, replikon me Nagavcin

Gjatë seancës për votimin e Ligjit për Buxhet 2021 ka pasur replika dhe kundër replika në mes të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci. Haxhiu, fjalimin e tij, e nisi me akuza karshi Qeverisë Kurti duke thënë se dy qeveritë e fundit kanë qenë qeveri e mashtrimit dhe hajnisë. 

Ai duke folur për Ligjin për Buxhetin e vitit 2021 tha se ky buxhet nuk i përmbush nevojat e qytetarëve.

Deputeti i PDK-së madje tha se Qeveria Kurti dhe Hoti e kanë filluar punën me mashtrim dhe përfunduam me mashtrim.

Haxhiu: Deri në thasë të kufomave është vjedhur në Qeverinë Kurti

“Duhet me pa se çka kemi paguar 12 euro dhe nga 8 euro e gjysmë, shikojeni është një veshje mbrojtëse që është paguar gjatë qeverisë. Shikojeni është veshje mbrojtëse, është veshja mbrojtëse 12 euro e 20 cent e ka kontraktuar nga qeveria. Kjo është maska K95 është dashur të ketë filtër të nderuar kolegë. Por Arben Vitia ka nënshkruar kontratë pa e caktuar prodhuesin dhe filteri iu është vjedhur. Ky është modeli dhe veshjet mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë. Këto janë arsyeja që ne sot i kemi mbi 1800 punëtorë shëndetësorë të infektuar me mbi 30 punëtorë shëndetësorë të vdekur sepse nuk ka pasur mbrojtje për ta. [...] Deri në thasë të kufomave është vjedhur në Qeverinë Kurti, e kjo pas tij shkoi edhe deri në thesar me vjedh. Ky është modeli i qeverisjes së këtyre partive të hajnisë dhe mashtrimit”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu vazhdoi me kritika edhe ndaj kryeparlamentares dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila nuk ishte në seancë në atë moment. Ai tha sa ajo mban dy pozita dhe po ashtu ka ndarë rrogë të 13-të për vete.

Haxhiu: Ku është sherifja me dy pozita dhe rrogën e 13-të

“Ku është me dy pozita me rrogën e 13 për vete, po për qytetarin pse nuk parashohin pagë të 13. Kjo sherifja e re pse nuk parasheh rrogën e 13 për mjekët, pse nuk parasheh edhe një pagë të 13 për policinë, ushtrinë, inspektoratin, punëtorët shëndetësorë”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci i kërkoi saktësi deputetit Haxhiu.

Nagavci: Kish qenë mirë mos me fol pasaktësi në këtë foltore.

“Kish qenë mirë mos me fol pasaktësi në këtë foltore. Nuk keni qenë i saktë kështu që iu kisha lutur të jeni të saktë secili prej deputetëve”, tha ajo.

E menjëherë pas kësaj deklarate të shkurtër të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, reagoi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili kërkoi nga Prokuroria e Kosovës të kryejë arrestime për keqpërdorimet e kryera sipas tij nga Qeveria Kurti.

Haxhiu: Prokuroria do duhej të kishte kryer arrestime për këto keqpërdorime

“E nderuar këtu e lash llaptopin se kur të duhen argumentet krejt këtu i kam dhe t’i jap sepse e di që ti nuk mundesh të durosh kur të kritikohet partia jote për hajni e ti mos me fol. Por është dashur me fol kur është vjedhur, por ti dhe unë mundemi vetëm me bë diskutime dhe nuk të bëjnë këto brenga. Unë e ftoj Prokurorinë e Kosovës vërtetë që në çdo deklarim timin të argumentoj dhe do duhej vërtetë të kishte arrestime për këto keqpërdorime”, tha Haxhiu.

E Nagavci deklaratat e Haxhiut tha se nuk i merr seriozisht.

Nagavci: Deklaratat politike nuk i marr seriozisht

“Ato deklarata politike adresuar Lëvizjes, as që e kisha fjalën se nuk iu marr seriozisht, por për pagën e 13 që iu referuat kryetares që nuk është këtu”, tha ajo.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2021.

Pas diskutimeve të zgjedhurit e popullit me 64 vota pro kaluan në parim projekt-buxhetin.

Derisa u propozua që nesër në orën 14:00 Kuvendi të mblidhet për ta miratuar në lexim të dytë buxhetin.

***

Haxhiu për Vjosa Osmanin: Kjo ‘sherifja e re’ pse nuk parashikoi rrogën e 13-të për qytetarët, si për veten

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Vjosa Osmani, e cila mban dy pozitat më të rëndësishmet të vendit, dhe do ta marrë edhe rrogën e 13-të, nuk po mendon për qytetarët.

Sipas Haxhiut, ‘sherifja e re’ nuk po mendon për qytetarët, por vetëm për vete dhe pozicionet e saj.

“Sot kur jemi këtu, kjo sherifja me dy pozita me rrogën e 13-të për veti, po për qytetarët pse nuk parasheh një rrogë të 13-të për qytetarët, ku është kjo sherifja e re, ajo po mendon për veti, ky është problemi i koalcionit të shpresës, me vetëm një kompani. Një kompani e afërt, dhe e udhëhequr nga një afërt e VV-së, përfitoi mbi 3 milionë euro, ku këtë e nënshkroi ministri Vitia”, tha Haxhiu.

Ai më tutje tha se buxheti për 2021 nuk parasheh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

“Sot ky buxhet as për së afërmi s’paraqet as nevojat as kërkesat e qytetarëve. Edhe në këtë kohë pandemie, qeverisë i ka ra ndërmend që të bëjë ndarje buxhetore përbrenda komunave, me ato komuna që qeveria nuk i udhëheq”, u shpreh ai.

Musliu: Ku i keni vijat e kuqe? Siç thoshte Veseli, kur ndalet PDK, ndalet Kosova

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se LDK dhe VV e lejuan Serbinë të futet në Kosovë sikur të ‘ishte ndonjë fshat në Kralevë’.

Ajo ndër të tjera tha se: “Sot që jemi në prag të zgjedhjeve kanë përqafuar veprimin tonë se vijat e kuqe nuk duhet të ekzistojnë në politikën tonë.

Pa PDK-në asnjë proces nuk mund të lëvizë përpara, apo sic thoshte kryetari Veseli, kur ndalet PDK-ja ndalet Kosova.

Ju lejuat që Serbia të hyjë e të dalë në Kosovë sikur të ishim fshat në Kralevë. Ju u koncentruat në luftimin e njëri tjetrit dhe ndarjen e pushtetit. Ju e tradhëtuar Kosovën, është mirë që ju erdhi fundi”, tha ajo.

(14:10) - Daut Haradinaj: Votimi i buxhetit është përgjegjësi dhe vetëdije institucionale

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2021.

Haradinaj tha se është shumë e parëndësishme ajo çka thotë pozita e opozita sot në Kuvend, e rëndësishme është që buxheti duhet të votohet.

“Sot ne këtë seancë nuk janë të rëndësishme ato që i thonë pozita e opozita sot ne Kuvend, sidomos tash që jemi jo zyrtarisht në fushatë zgjedhore. Buxheti duhet të votohet, sepse në të kundërtën gjasat janë shumë të mëdha që të dëmtohet vendi dhe qytetari. Kushdo që e merr pushtetin në zgjedhjet e ardhshme dhe ky buxhet i duket i orientuar keq, mund ta riorientoje në gjashtëmujorin e dytë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se shkuarja në zgjedhje pa miratimin e buxhetit do të ishte një dëm i madh për shtetin dhe qytetarët.

“Shkuarja në zgjedhje dhe në proces të krijimit të institucioneve, pa buxhetin e miratuar, do të ishte një dëm i madh për shtetin dhe për qytetarët. 

 ***

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi ka thënë se kërkuar që në buxhet të përfshihen edhe shpërndarja nga 100 euro për qytetarët.

Abrashi thotë se mënyra më e lehtë e shpërndarjes së mjeteve është duke u bazuar në numrin e anëtarëve të familjes.

“Kjo do të jetë ndihmë direkte gjithëpërfshirëse bazuar në numrin e anëtarëve të familjes. Kjo mënyrë e shpërndarjes së mjeteve do të jetë e lehtë”, ka theksuar ai.

Shpërndarja sipas tij, do të bëhet përmes Komunave. Abrashi ka thënë se AAK-ja mbështet miratimin e projektbuxhetit.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pushtetit dhe opozitës, po debatojnë sa i përket Projektligjit për buxhetin për vitin 2021.

Seanca e jashtëzakonshme – që aktualisht po zhvillohet – është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me qëllim që të miratohet buxheti përpara se të shpërndahet kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, tha se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Sipas Kushtetueses, presidenti i Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kërkoi nga deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2021, për shkak të situatës me të cilën po përballet Kosova nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Ai tha se miratimi i projektbuxhetit, është hap i vogël për “tejkalimin e krizave”.

“Vota për buxhetin emergjent sot është një hap i vogël për tejkalimin e krizave. Ne jemi të vetëdijshëm që në klimën që është krijuar, vështirë që do të ketë fitues edhe humbës edhe pas zgjedhjeve. Vota kundër buxhetit sot është votë kundër shtetit të Kosovës. Vota kundër buxhetit nuk është votë kundër Qeverisë Hoti sepse për të e ka dhënë verdiktin Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Gashi.

Por, Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për buxhet dhe transfere, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për zgjatjen e ndarjeve buxhetore deri në tre muaj.

Ndarjet buxhetore për tre muaj bëhen kur Ligji për buxhetin nuk arrin të miratohet brenda afateve ligjore, përkatësisht deri më 31 dhjetor.

“Kuvendi mund të zgjasë ndarjet buxhetore deri në tre muaj. Sipas ligjit, muaji janar është i mbuluar me automatizëm. Ne mund të vendosim që të kemi zgjatjen edhe për muajin shkurt edhe mars”, tha Murati.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ky ligj nuk mund të zbatohet më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Shefja e kuletës së shtetit: Kush premton rritje të pagave, e thotë një gënjeshtër të madhe

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami e ka quajtur gënjeshtër të madhe premtimet për rritje të pagave në sektorin publik. Por shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza tha partia që përfaqëson e ka dëshmuar edhe të kaluarën rritjen e pagave.

Shefja e kuletës së shtetit gjatë seancës së jashtëzakonshme për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021, tha se i njëjti është i dobët për shkak të pandemisë Covid-19.

“Nëse ky buxhet iu duket i dobët është i dobët për shkak të pandemisë sepse kanë ra të hyrat e rregullta prej 300 milionë. A e dinë që veç deri në fund të shtatorit i ka ra qarkullimi për 1 milion euro, jo për faj të qeverisë. Por po faj të pandemisë. Edhe kushdo të kishte qenë në ministrinë e Financave nuk kishte mundur të bënte ndryshe…është e vërtet që buxheti është i dobët, është e vërtet që na nuk po dalim këtu me premtu rritje të pagave, sepse do të ishte një gënjeshtër e madhe me dalë me premtu rritje të pagave për policët, mjekët, zjarrfikësit e të gjithët të tjerët”, tha ajo.

Ani pse shprehu gatishmërinë për ta votuar projekt-buxhetin, Hamza kritikoi këtë të fundit si të dobët.

“Asnjëherë buxhet ma dobët të papërgatitur nuk kam pasur në dorë. Pse do të votojmë, do të botojmë për interes të vendit dhe qytetarëve të vendit…Rritja e pagave, ne e kemi bërë të kaluarën kemi dëshmu, shumë herë m’u kanë thanë që s’behët, por është bërë. Edhe të ardhmen ka me u bo dhe duhet të gjendet format për rritje të buxhetit”, tha ai.

(12:58) - ​AAK dhe Nisma kërkojnë miratimin e buxhetin për vitin 2021

Aleanca për Ardhmërinë Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate po kërkojnë miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021. Dy partitë që janë në koalicionin qeverisës këtë buxhet e quajtën të interesit vital për stabilitetit financiar të vendit.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi tregoi disa nga nevojat e miratimit të këtij projekt-buxheti.

Abrashi: Votimi i buxhetit për vitin 2021 është i një interesi të veçantë për stabilitetin financiar

“Votimi i buxhetit për vitin 2021 është i një interesi të veçantë për stabilitetin financiar të vendit, sidomos për pjesëmarrjen e parë të vitit kur të hyrat janë më të limituara. E po ashtu mundëson implementimin më të fuqishëm të pakos për rimëkëmbje që është jetësore për bizneset në vështirësi. Ne si GP i AAK-së do të përkrahim miratimin e këtij projekt-buxheti”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma-AKR-6+, Endrit Shala tha se nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim që deputetët mos ta miratojnë buxhetin për vitin e ardhshëm.

Shala: Asnjë arsye nuk na justifikon si deputetë të mos miratojmë buxhetin

“Asnjë arsye tjetër nuk ka justifikon neve si deputetë në raport me nevojën e qytetarit dhe sektorit publik e privat. Ata i duan pagat e tyre, i duan të marrin pagat për detyrat dhe punën që e kryejnë për Kosovën. Ne si parlament duhet ta kryejmë detyrën tonë, miratimin e këtij buxheti dhe mos të rrezikojmë bllokimin e vendit”, tha ai./

***

Ministrja Bajrami: Në vitin 2021 presim rritje ekonomike prej 5.2 për qind

Ministrja e Financave dhe Tranfereve, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga deputetët që të votojnë Projekt Buxhetin e vitit 2021.

Bajrami tha se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind.

Ajo u shpreh se Projekt Buxheti ka dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.

“Ky Projekt Buxhet tani po kërkohet të votohet në mënyrë që të mos bllokohen institucionet e vendit, në mënyrë që jeta të vazhdoj edhe pse kemi hyrë në fushatë elektorale. Projekt Buxheti trajton dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje. Për sa muaj që do të jemi në detyrë kjo duhet të lejohet sepse është në interes të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

Bajrami tha tutje se të hyrat e parashikuara për vitin 2021 do të jenë 1.9 miliardë, ndërsa shpenzimet rreth 2.5 miliardë.

“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë, ne jemi munduar që bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja ekonomike për vitin 2021. Në vitin 2021 ne kemi paraparë që do kemi rritje ekonomike prej 5.2. Ky buxhet është një nga instrumentet kyçe që të arrijmë të sigurojmë këtë rikthim. Të hyrat i kemi parashikuar të jenë 1.9 miliardë euro dhe shpenzimet 2 miliard e 412 milionë euro”, shtoi ajo.

(12:48) - Hamza: PDK e përkrah mocionin procedural për Ligjin për Buxhet

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se përveç PDK-së të gjitha partitë tjera politike i kanë bërë sherr Kuvendit të Kosovës dhe i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës.

Hamza deklaroi se e përkrahin mocionin procedural për votim të Ligjit të Buxhetit.

Ai tha se mungesa e fuqisë politike e qeverisë Hoti e ka sjell vendin në këtë situatë.

Hamza: Partitë tjera përveç PDK-së ia kanë bërë sherrin Kuvendit

“Këto parti politike përjashtim të PDK-së realisht i kanë bërë sherr këtij Kuvendi, i kanë bërë sherr popullit dhe i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës. Kanë ardhur me premtime shumë pompoze dhe të mëdha se do jenë koalicion i shpresës doli që janë koalicion i dëmtimit të interesit të vendit. Me qenë mbarë dhe mirë qeveria e kishte aprovuar buxhetin në kohë, e kishte aprovuar buxhetin pa pasur nevojë që ne të vijmë dhe vendi të vijë në situatë të tillë çfarë ka ardhur. Por mungesa e fuqisë politike, mungesa e numrave dhe nuk e di pse një qeveri pranon me qëndrua në pushtet kur nuk i ka numrat dhe nuk mund t’i kaloj as iniciativat ligjore që kërkojnë shumicën e thjeshtë. Por edhe partia tjetër opozitare Vetëvendosje duhet me pas pak një konsistencë dhe me i mbajtur mend disa çështje. Nuk është moti kur PDK në një seancë të jashtëzakonshme ka kërkuar mocion procedural për t’i futur në rend të ditës ligjet për pakon emergjente dhe një gjë e tillë është kundërshtuar nga qeveria e atëhershme e koalicionit Vetëvendosje- LDK dhe partitë tjera”, tha ai.

Hamza shtoi se sot nuk po e përkrahin qeverinë, sepse po këtë qeveri vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka dërguar në shtëpi dhe mirë ka vepruar.

Hamza: Nuk po e përkrahim këtë qeveri sepse vendimi e dërgoi tek shtëpia

“Duke e marr për bazë rëndësinë e temës që jemi sot këtu dhe po e bisedojmë sepse nuk jemi këtu për me përkrahur qeverinë se vendimi qeverinë e dërgoi tek shtëpia dhe mirë boll që nuk po bënë mirëpo jemi këtu për t’i përkrahur dhe për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit dhe PDK sigurisht do jetë në përkrahje të mocionit procedural me qëllim që të ecim tutje me këtë temë“, theksoi ai.

***

Me përplasje të ashpra ndërmjet LVV-së dhe LDK-së është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021. Shefat e grupeve parlamentare të dy partive, Liburn Aliu dhe Arben Gashi e quajtën njëri tjetrin me epitete të ndryshme.

Derisa Aliu tha se LDK-ja po dëshiron ta bëjë zi e ma zi Kosovën përmes këtij projekt-buxhetit, të cilin e vlerësoi sikur me “dhezë sharrën”, e me pështjellur me interes nacional. Por këtë, Gashi e quajti paranojë e sëmundje psikike, që sipas tij po e shkatërron Kosovën.

Aliu: Përmes këtij projekt-buxheti ju po dëshironi ta bëni zi e më zi vendin

“Është bërë praktik se sa herë thirret në këtë Kuvend për interes madhor nacional nga përvoja menjëherë duhet me shikuar anash se ku po dhezet sharra. Sa herë ju e përmendi interesin madhor nacional menjëherë ne kemi të drejtën e plotë legjitime se ju jeni duke e dhezë sharrën dikun. Ju vërtet me këtë projekt-buxhet e keni dhezë sharrën. Prandaj atë sharrën që ju e keni dhezë mos na pështjellin me interesin nacional sepse interesi nacional dhe interesi madhor është duke u deshifruar mirë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po e thirrni ju këtë seancë, e jo qeveria. Pse sepse qeveria po dihet që jo legjitime, sepse i bie që qeveria nuk është zgjedh asnjëherë, ama cilin projekt-buxhet, atë qe e ka hartuar po kjo qeveria. Po, po e njëjta qeveri që nuk është zgjedhur asnjëherë se në numra ka pas defekt dhe ju po mundeni që shpejt e shpejt me pru këtu. Prandaj që në start legjitimiteti juaj nuk ekziston. Ju deri tash keni bërë zi e më zi, e po këqyrni me bë edhe këto ditë që kanë mbet”, tha ai.

Gashi duke iu kundërpërgjigjur, shefit të grupit parlamentar të LVV-së, tha se buxheti i vitit të ardhshëm nuk është buxhet i tenderave.

Gashi: Kjo paranojë, kjo sëmundje psikike po e shkatërron këtë vend

“Pranoja e sharrave e thikave dhe shpatave mbi torte vazhdon. Kjo paranojë, kjo sëmundje psikike po e shkatërron këtë vend. Ju të nderuar kolegë me këto paranoja, klithma në këtë Kuvend po tentoni ta terrorizoni këtë popull. Ky popull nuk i nënshtrohet thirrjeve dëshpëruese të juve. Ky popull asnjëherë nuk do t’i nënshtrohet paranojave të juaja...asnjëherë deri më sot asnjë qeveri në detyrë nuk ka shpall tendera dhe nuk ka dhanë tender .Kjo është paranoja juaj, ky është rreziku që ju përfaqësoni për këtë vend”, tha ai.

***

Murati kërkon të votohet zgjatje buxhetore deri në mars 2021

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati propozoi që para se të votohet Projektligji për Buxhet fillimisht të votohet për zgjatje buxhetore për muajin shkurt dhe mars. Sipas tij Ligji për Buxhet mund të kalojë në lexim të parë, por që mund të vijë vendimi i Kushtetueses dhe që nuk mund të përfundohet në dy leximet.

Murati: Propozoj të votohet fillimisht zgjatje buxhetore për muajin shkurt dhe mars

“ Me ligjin për Menaxhim të Financave Publike neni 24, paragrafi 2 ku thotë se Kuvendi mund të zgjas ndarjet buxhetore në rast të mungesës së një ligji në fuqi mund të zgjas ndarjet buxhetore deri në tre muaj,. Sipas ligjit muaji janar është i mbuluar me automatizëm nëse nuk ka ndarje buxhetore , kurse Kuvendi me vendim pra ne sot mund të vendosim që ta kemi edhe zgjatjen për muajin shkurt dhe mars. Arsyeja pse konsideroj se duhet të kaloj ky propozim është se Ligji I Buxhetit I duhen dy lexime edhe duhen amadamente. Pra, derisa të përfundojnë që të dyja leximet ne mund ta kemi të publikuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me ç’rast pra Kuvendi shpërndahet dhe e humb aftësinë për vendimmarrje. Andaj, që të mos të rrezikojmë unë propozoj që fillimisht ne si Kuvend ta miratojmë pra vendimin për zgjatjet buxhetore për muajt shkurt dhe mars, e i cili vendimi në rast se nuk ka Ligj të Buxhetit në fuqi, nëse ndodh ndonjë skenar që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese publikohet sot gjatë ditës ose para se të hy në fuqi buxheti, vendimi të vlejë. Dhe në rast se Ligji I Buxhetit merr votat hynë në fuqi, vendimi që miratohet bëhet I panevojshëm”, tha Murati. 

***

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e quan votë për shtetin miratimin e buxhetit për vitin 2021. Duke konsideruar se stabiliteti financiar i vendit është interes nacional, partia e cila është në pushtet kërkoi unitet dhe konsensus ndërmjet partive parlamentare për ta votuar buxhetin dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se në këtë situatë që gjendet vendi është e rrezikshme të mos miratohet buxheti për vitin 2021.

Gashi: Vota për buxhetin sot është votë për shtetin, vota kundër është pro krizës

“Vota për buxhetin sot është votë për shtetin, vota kundër buxhetin nuk është votë kundër qeverisë Hoti sepse verdiktin për këtë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Vota kundër është thjeshtë kundër buxhetit të Republikës dhe pro krizës”, tha ai.

Gashi propozoi që të bëhet shmangia nga rregullorja për të votuar projekt-buxhetin dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Gashi: Ne duhet të shihemi sot si përfaqësues të popullit dhe interesave të tyre dhe vetëm kaq.

“Duke pas parasysh se çfarë situate gjendemi është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet. Të ketë buxhet që institucionet themelore të shtetit të funksionojnë edhe në momentin kur Kuvendi shpërndahet. Ne sot nuk duhet të shihemi si pozitë dhe opozitë sepse pozita dhe opozita sot nuk ekzistojnë. Ne nuk duhet të shihemi sot si qeveri dhe Kuvend se qeveria dhe Kuvendi nuk ekzistojnë. Ne duhet të shihemi sot si përfaqësues të popullit dhe interesave të tyre dhe vetëm kaq. Ne duhet sot të japim sinjalin e bashkimit dhe çojmë mesazhin se për interesa shtetërore jemi të angazhuar dhe bashkuar”, tha ai.

Seanca e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare është duke vazhduar.

***

Kuvendi ka filluar punën me seancën e jashtëzakonshme për votimin e Buxhetit për vitin 2021 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me 74 deputetë, në fjalën e tij Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi i ka replikuar Liburn Aliut të LVV-së, i cili i tha partive në pushtet i keni dhezë ‘sharrat’ diku me projektbuxhetin e vitit.

E këtu Gashi ka thënë se “paranoja e sharrave, e thikave dhe shpatave është paranojë, kjo sëmundje psiqike po e shkatërron këtë vend. Me paranoja, britma e kliththma ky popull asnjëherë nuk do ti nënshtrohet paranojës suaj”, ka thënë Gashi në Kuvend.

Tutje ai tha se nuk qeveriset me vota fejzbukiane.

“Interesi i vendit është që institucionet shtetërore të funksionojnë, që policët dhe ushtarët e Kosovës të kenë paga, të gjitha institucionet të funksionojnë, tjerat mbetet të matemi në betejën e zgjedhjeve”, tha ai ndër të tjera.

Gashi për VV-në: Ky vend nuk do t’i nënshtrohet asnjëherë këtij mentaliteti bolshevik

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është shprehur i ashpër në fjalimin e tij.

Në drejtim të Vetëvendosjes ai ka drejtuar kritika duke i parë si paranoja politikat e Vetëvendosjes, dhe duke i cilësuar si “mentalitet” bolshevik.

“Nuk i nënshtrohemi asnjë paranoje, sharre apo shpate, jemi këtu për me e përfaqësu interesin e republikës. Ky vend nuk do t’i nënshtrohet asnjëherë këtij mentaliteti bolshevik. Mentaliteti bolshevik i përfaqësuar këtu do të përfundojë. Beteja e zgjedhjeve është aty, e institucionet janë mbi betejën e paranojës sharrës e shpatës”, është shprehur Gashi.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton në parim Projektbuxhetin për vitin 2021.

***

Liburn Aliu: Me projektbuxhet e keni dhez sharrën, pra mos na e pshtjellni me interes nacional

Liburn Aliu nga Vetëvendosje tha se sa herë që thirret në këtë Kuvend ndonjë seancë për interes madhor, nacional nga përvoja njëherë duhet me shiku anash ku po hedhet sharra.

“Interesin madhor nacional menjëherë kemi të drejtën e plotë legjitime të mendojnë se ju jeni tu e dhez sharrën diku.Me këtë projektbuxhet e keni dhez sharrën, prandaj ju kisha lut mos na e pështjelloni me interes nacional sepse interesi nacional dhe interesi madhor.Është jolegjitime sepse dihet që Qeveria nuk është zgjedh asnjëherë, por por e njëjta qeveri që nuk është zgjedhur asnjëherë sepse në numra ka pas defekt dhe po përpiqeni me u ngut sa më shpejtë që të bëni edhe diçka më zi, e me e pru këtu.Prandaj që në start legjitimiteti juaj, nuk ekziston që në start, ju nuk keni të drejtë të sillni projektbuxhet.JU deri tash keni bë zi e ma i zi e po shikoni më bë zi edhe në pak ditë që ju kanë mbet, e kjo zi është me këtë projektbuxhet që po na e bëni”, tha Aliu.

Ai tutje shtoi se në këtë projektbuxhet s’ka diçka për shëndetësi e as për arsim.

“Pse mos ka diçka për shëndetësi? Jo, ja keni ulë buxhetin MSH-së dhe ministrisë së Arsimit. Çka keni shtu, në infrastrukturë? Po mendoni se me dal prej krizës me pare e tendera për infrastrukturë, ne jemi në krizë, po vdesin njerëizt e ju na folni për interesin madhor nacional. A po thoni se mund të rrezikohen pagat e qytetarëve e punonjësve në administratë për shkak se mund të skadojë buxheti, e keni propozimin që t’ua shtyjmë edhe për dy muaj shtesë, janar-shkurt, mars në mënyrë që nëse ku buxhet nuk kalon Qeveria e Kosovës de punonjësit të kenë mundësi ti paguajnë punëtorët me ato paga.Urdhëroni kalon e njëherë këtë vendim, pastaj mund të flasim edhe për buxhet, tendera e ato rrugë që ndoshta na vie rasti të flasim edhe për projekte të shumta që janë bartë varësisht interesave partiake.Ju s’keni legjitimitet të flisni për interesin nacional-madhor, sepse është dashur të flisni kur i keni dhënë Ujmanin Serbisë”, shtoi ai.

***

Kuvendi ka filluar punën me seancën e jashtëzakonshme për votimin e Buxhetit për vitin 2021 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me 74 deputetë prezentë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi ka thënë se sot pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë për të votuar Buxhetin e vitit 2021 në mënyrë që institucionet të funksionojnë edhe pas shpërbërjes së Kuvendit.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet që institucionet të funksionojnë edhe kur Kuvendi të shpërndahet. Sot nuk duhet të shihemi si pozitë dhe opozitë, ne duhet të shihemi si përfaqësues të popullit dhe vetëm kaq. Ne duhet të japim sinjalin e bashkimit dhe se për interesa të vendit jemi të bashkuar dhe të tejkalojmë interesat politike ditore”, është shprehur Gashi.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do ta votojnë Buxhetin e vitit 2021, teksa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë sinjale se do ta votojnë atë.

***

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të miratohet projekt-buxheti për vitin 2021. Krahas buxhetit, deputetët në rend të ditës për miratim kanë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kjo seancë, ka ardhur me kërkesë të LDK-së të nënshkruar nga 40 deputetë. Miratimin e buxhetin për vitin e ardhshëm kanë shprehur vullnetin ta votojnë gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Seanca e jashtëzakonshme ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për paligjshmërinë e qeverisë Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.

***

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar ishte mbajtur seanca konstituive e legjislaturës aktuale, ndërsa një vit më pas të njëjtit deputetë mblidhen ndoshta për herë të fundit për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm (2021) dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se sot më 28 dhjetor, në ora 11:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.

Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe shefi i GP të LDK-së Arben Gashi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat