Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Enver Hoxhaj, ka thënë dje se kjo parti do ta kthejë Ministrinë e Diasporës.
Ai ka thënë se në listën me kandidatë për deputetë të kësaj partie, do të jenë edhe tre kandidatë nga diaspora.
Atij për këtë deklaratë i ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, ka thënë se mërgata nuk do të mashtrohet nga premtimet “boshe” të PDK-së dhe LDK-së, përcjell Bota sot.
Dugolli ka thënë se këto parti i kanë gënjyer dhe përbuzur bashkatdhetarët, të cilët sipas tij, tani do ta votojnë VV-në për fitoren e madhe.
Postimi i Dugollit në Facebook:
Qytetarët e vendit dhe bashkatdhetarët tanë (mërgata) nuk mashtrohen e nënshtrohen nga premtimet boshe të PDK-së e LDK-së për "vendet e rezervuara në parlament për mërgatën..." etj etj...
Janë po këto parti që nuk e mbështeten nismën ligjore të LV-së, për t'u lehtësuar bashkatdhetarëve të drejtën e tyre elementare, votimin në Ambasada e Konsullata në vendet ku jetojnë. Si t'u besohet këtyre që për 20 vite, mërgimtarët tanë (dhe jo vetëm) i gënjyen, i përbuzën e po i fyejnë?
Qytetarët tanë i kanë parë e po i shohin të gjithë. Dhe me vetëdije e shpresë të madhe kanë vendosur ta mbështesin fuqishëm Lëvizjen Vetëvendosje!, për një fitore të madhe, e cila nuk shitet, nuk deformohet e nuk tjetërsohet.