Është punëtori me përvojën më të gjatë në Gjykatë Supreme me plotë 40 vjet përvojë pune. Prej janarit të vitit 1980, Shuki, siç e thërrasin kolegët, i ka pritur e përcjell pesë kryetarë të gjykatës më të lartë në vend. E deri në pension, do të përcjell edhe kryetarin aktual.
Gjykata Supreme e quan storie e vitit: Shukri Miftari, referenti me 40 vjet përvojë në Gjykatën Supreme.
Shumë kujtime, një pjesë jo e vogël e tyre, të hidhura, si pasojë e të jetuarit dhe të punuarit nën okupim.
Për këto 40 vjet përvojë pune, në cilësinë e referentit të gjykatës, Shukriu e ka përjetuar edhe transformimin rrënjësor të teknologjisë, që nga mjetet e papërshtatshme për fotokopje, nga të cilat shtangeshin duart e kërkohej edhe forcë fizike për t’i funksionalizuar e deri te teknologjia moderne e ditëve të sotme.
Bashkëpunimi korrekt e përkushtimi në punë janë vlera që e përkufizojnë një punëtor si Shukriun.
Aktualisht, ai është duke u trajnuar në fushën e teknologjisë informative, në SMIL, sistem ky që, pas 40 vjetësh, do t’ia bëjë të pavlefshëm përdorimin e stilolapsit për të regjistruar lëndët.