Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka thënë se përçarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ia mundëson suksesin Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se LDK-së po i kushtojnë përçarjet e brendshme, pasi sipas tij, kjo parti nuk arriti të krijoi një lider atëror të partisë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, përcjell Bota sot.
Sipas profesorit, PDK dhe VV i shpëtuan fatalitetit të përçarjes, pasi liderët e tyre e kishin këtë lloj autoriteti atëror.
Postimi i Latifit:
Përçarja e krahut të luftës në vitin 2000, ia mundësoi LDK-së të marrë pushtetin dhe ta mbajë shtatë vjet atë. Përçarja e LDK-së në vitin 2007, ia mundësoi PDK-së të bëhet partia e parë në Kosovë dhe ta udhëheq vendin për shtatë vjet me radhë.
Përçarja e dytë e LDK-së po ia mundëson tash Vetëvendosjes suksesin e PDK-së të vitit 2007.
Pse LDK-së po i kushtojnë kaq shumë përçarjet e brendshme? Sepse pas Rugovës ajo nuk arriti asnjëherë të krijonte një lider atëror të partisë. PDK dhe VV i shpëtuan fatalitetit të përçarjes sepse liderët e tyre e kishin këtë lloj autoriteti atëror. Partitë politike në Kosovë ende funksionojnë me logjikën e vëllazërive fisnore, të cilat, sapo humbin babën, ndahen.