Kuvendi diskuton për buxhetin, Hoti në Krushë të Madhe

Aktuale

Kuvendi diskuton për buxhetin, Hoti në Krushë të Madhe

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 15:09
Avdullah Hoti

Derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2021 në një seancë të jashtëzakonshme, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti nuk është i pranishëm.

Ky i fundit është duke e zhvilluar një vizitë në Krushë të Madhe.

Megjithatë, ai nga ky fshat i Rahovecit u shpreh optimist se ligjvënësit do ta kalojnë këtë projektligj, njofton Klan Kosova.

“Është tepër e rëndësishme që të mos e fillojmë vitin e ardhshëm pa buxhet të miratuar. Ligji për Financat Publike neve na lejon që të përdorim 1/12 e buxhetit për muajin janar dhe 1/12 edhe për muajin shkurt, megjithatë do të jetë vështirë që ne të çojmë përpara masat e tjera për të mbështetur qytetarët dhe bizneset. Me sa e kam parë ekziston një disponim te shumica e grupeve parlamentare në Kuvend që buxheti të kalojë”.

Shefi i qeverisë në detyrë ka bërë thirrje të vazhdueshme që deputetët ta votojnë këtë projektligj dhe të ratifikojnë disa marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur në ‘sirtar’ para se ta shpërndajnë vetveten.

Kjo seancë e jashtëzakonshme, e cila po vazhdon akoma, është thirrur pikërisht nga deputetët e partisë nga e cila vjen Avdullah Hoti.

Deputetët e LDK-së kanë thënë, ashtu si Hoti, se Projektligji për Buxhetin duhet të votohet para se të shpërndahet Kuvendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat