Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që në buxhetin e vitit 2021, të futen projektet e komunës, pasiqë fatkeqësisht Qeveria nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri të kësaj komune.
“Këtë ia kemi borxh secilit qytetar që na ka dhënë besimin dhe që e përfaqësojmë në institucionet lokale e qëndrore”, ka shkruar Jashari.
Postimi në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Si Kryetar i komunës së Skenderajt, disa herë gjatë këtij viti kam kërkuar nga Ministritë dhe Ministrat e Qeverisë së Kosovës që në buxhetin e vitit 2021 të parashihet përkrahja e projekteve të reja të komunës sonë.
Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2021 nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri të komunës sonë.
Andaj kërkoj nga deputetët që nesër përmes amendamentimit t’i fusin në buxhetin e vitit 2021 projektet e komunës sonë, si në ujësjellës, kanalizim, rrugë, ndriçim, trotuare, arsim, kulturë, rini, sport, banim, shëndetësi e zhvillim ekonomik.
Projekte këto që ndikojnë drejtëpërdrejtë në ngritjen e nivelit të mirëqenies sociale në komunën tonë, si komunë që më së shumti është shkatërruar nga lufta e fundit dhe ende nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha.
Këtë ia kemi borxh secilit qytetar që na ka dhënë besimin dhe që e përfaqësojmë në institucionet lokale e qëndrore.