Deputeti i VV-së, Taulant Kryeziu, ka thënë se, zgjedhjet e reja, janë përcaktues i së ardhmes së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, kësaj Qeverie i kemi thënë se është votuar në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe në kundërshtim me Kushtetutën, gjë që e pohoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Në zgjedhjet e reja, ne do të marrim mbështetje plebishitare dhe do të kemi një shumicë të pastër parlamentare për të çuar përpara të gjitha zotimet tona”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Postimi në Facebook:
Zgjedhjet e reja, janë përcaktues i së ardhmes së Kosovës në Bashkimin Evropian
Që nga fillimi, kësaj të ashtuquajture Qeveri, i kemi thënë se është votuar në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Kjo Qeveri s’ka pasur asnjëherë as legjitimitet qytetar, as legalitet kushtetues. Kuvendi në kundërshtim të plotë me vullnetin e qytetarëve, votoi një Qeveri jolegjitime, mbi një vendim kundërkushtetues, me një qëllim të vetëm, për të arritur një marrëveshje me Serbinë që e copëton Republikën e Kosovës.
Tanimë kemi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që vërtetoi katërçipërisht atë që ne e kemi argumentuar që nga momenti i votimit të kësaj qeverie.
Rikthimi tek burimi i sovranitetit-popullit, përmes rilegjitimimit qytetar, ka qenë rruga e vetme për të pasur një Qeveri që e do populli, e cila është kompetente për të ndërtuar një shoqëri ku të gjithë jemi të barabartë para ligjit.
Në zgjedhjet e reja, ne do të marrim mbështetje plebishitare dhe do të kemi një shumicë të pastër parlamentare për të çuar përpara të gjitha zotimet tona.
Bashkë drejt fitores historike!