Radhë të gjata janë krijuar në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku qytetarët po presin për tu testuar për COVID-19.
Bazuar në fotografitë që kanë dërguar lexues të Gazetës Express, radha është goxha e gjatë dhe shumica e atyre që po presin janë të moshuar.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka nisur dje testimet për COVID-19 edhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti ka bërë me dije se procedura e marrjes së mostrave do të bëhet sipas protokolleve të IKSHPK-së nga ekipet të cilat marrin mostra rregullisht në IKSHPK dhe në terren nëpër institucionet e ndryshme sipas indikacioneve epidemiologjike.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e marrjes së mostrave për depistimin e rasteve të cilët nuk kanë shenja të sëmundjes. IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2, duke ju informuar gjithashtu se testimet vazhdojnë në IKSHPK dhe të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Institutit.

