Konfirmohet nga Isa Mustafa: Ky është kandidati i LDK-së për kryeministër

Aktuale

Konfirmohet nga Isa Mustafa: Ky është kandidati i LDK-së për kryeministër

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 14:23
Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa

(E plotësuar 17:54 ) - Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Hoti sot ka marrë besimin e kryesisë së kësaj partie që të jetë në garë për të parin e qeverisë së re të vendit.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se kryesia e partisë që ai drejton kanë diskutuar për punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se kanë vlerësuar se ekzekutivi ka bërë punë të mirë.

Mustafa tha se Hoti dhe qeveria e udhëhequr nga ai ka arritur sukses në rikthimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, të ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në. Po ashtu, tha se Hoti ka bërë punë të mirë edhe në luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe në rimëkëmbjen ekonomike.

Të gjitha këto, Mustafa tha janë arsye se pse Avdullah Hoti do të jetë kandidati i tyre për kryeministër të vendit.

Mustafa tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur për faj të qeverisë, pasi që ajo nuk i zgjedh deputetët.

Mustafa: Hoti do të jetë kandidati ynë për kryeministër

“Qeveria e ka bërë punën mirë, se Hoti si kryeministër i kësaj qeverie e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e qeverisë, ka treguar se edhe vetë edhe qeveria zbaton ligjin dhe lufton krimin e korrupsionin dhe ka aftësi dhe mundësi t’i bëjë mirë qeverisjes së këtij vendi. Kjo na ka shtyrë që edhe sot ne ta konsiderojmë se Hoti është kryeministër i kësaj qeverie në vazhdim që pas daljes në Gazetën zyrtare të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të jetë qeveri në detyrë, do të vazhdojë ta bëjë atë punë dhe po ashtu do të vazhdojë të jetë kandidat i yni për kryeministër të vendit edhe në zgjedhjet e ardhshme. Kemi aprovuar edhe kriteret udhëzuese për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Këto kritere kemi paraparë që kandidatët tanë për deputetë duhet të jenë njerëz që besojnë në LDK dhe programin e saj, që i qëndrojnë besnik këtij programi, njerëz që kanë pastërti të figurës dhe që nuk kanë pasur asnjëherë problem me ligjin”, tha ai.

Mustafa bëri të ditur se Hoti ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Kandidat tjetër tha se nuk janë propozuar në kryesi, por që tha se ai ka biseduar me persona brenda LDK-së, por që të gjithë kanë vlerësuar se Hoti është kandidati më i duhur për postin e kryeministrit.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, njëherësh kandidati i LDK-së për kryeministër, tha se është mirënjohës për besimin që e ka marrë nga partia e tij, derisa është shprehur i bindur se LDK do të fitojë në këto zgjedhje.

Hoti: Jemi favoriti kryesorë për t’i fituar zgjedhjet

“Ne do të ndërtojmë ekipet e nevojshme me njerëzit më të mirë për të treguar se si do të vazhdojmë të qeverisim më tutje. Besoj që gjatë këtyre 7 muajve të qeverisjes kemi dhënë evidencë të fortë në gjërat kryesore duke filluar nga sundimi i ligjit, nga luftimi i krimit dhe i korrupsionit, nga kthimi i partneriteteve të Kosovës, të cilat janë dëmtuar më herët. Nga një rezultat i jashtëzakonshëm në luftën kundër pandemisë dhe mbi të gjitha me mbështetjen që e kemi dhënë për qytetarët dhe për bizneset me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Në ditët e ardhshme në fakt brenda një jave dy unë do të dal para qytetarëve me ofertën tonë të re programore dhe me ekipin me të cilën ne do të garojmë në këto zgjedhje. Unë jam i bindur që ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje, bazuar në rezultatet e punës së kësaj qeverie, jo në ‘fluska’ që i dëgjojmë poshtë e lartë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se në këto zgjedhje do të garojnë të vetëm, por që tha se mbeten të hapur që në listën e tyre mund të hyjnë përfaqësuesit e ndonjë subjekti të vogël politik dhe se nuk do të kenë vija të kuqe për asnjë parti politike.

Mustafa: S’ka koalicione

“Për koalicione po ju njoftojë se nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik përpos asaj që si LDK mbesim të hapur që në listën tonë mund të hyjnë përfaqësuesit e ndonjë subjekti të vogël politik, por gjithsesi vetëm me listën e LDK-së. Pranimi për koalicion nuk varet vetëm prej vijave të kuqe, por ndonjëherë varet edhe prej programit, varet edhe prej mënyrës së komunikimit edhe mënyrës së komunikimit dhe prej besimit të ndërsjellët se neve na i ka prishur koalicioni mungesa e një besimi të ndërsjellë në të cilin ne kemi besuar shumë përpara me LVV-në. Por, unë jam shprehur publikisht edhe para kësaj se LDK duhet t’i heqë vijat e kuqe, sepse nuk kemi hapësirë në Kosovë më të zbatojmë vija të kuqe dhe këto vija të kuqe unë jam i bindur se do t’i heqim, do t’i mënjanojmë për të gjitha subjektet politike të cilat hyjnë në garë dhe të cilat nesër do të jenë subjekte në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

I pari i LDK-së u pyet se a beson edhe ai se LDK do të dalë e para në zgjedhje duke qenë se në vitin 2017 kishte garuar po me Avdullah Hotin si kryeministër, tha se atëherë ka ndodhur koalicioni i PAN-it. Këtë herë Mustafa tha se subjektet po hyjnë veç e veç në garë dhe se është i bindur në suksesin e LDK-së.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, i ka uruar suksese ish-bashkpartiakes që në zgjedhjet e fundit kishte qenë kandidate për kryeministre nga LDK Vjosa Osmanit, e cila ka paralajmëruar se në zgjedhje do të garojë me listën e saj.

Mustafa: I dëshiroj suksese Vjosa Osmanit

“Tani unë nuk mund të jap vlerësime, unë i uroj suksese Osmani meqenëse hynë në një garë vetë dhe rezultatet do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti se do të dalin të parët dhe do të bëjnë qeverinë me Vjosa Osmanin.

Mustafa: Deklaratat e tilla nuk i shoh pa një zor të madh

“Deklaratat e tilla nuk i shoh pa një zor të madh, sepse Albin Kurti nganjëherë duket që mund të jetë racional nganjëherë nuk është racional, kur njerëzit e kanë një zor pastaj e shpallin vetën mbret në mënyrë që të lënë përshtypje se ata janë të parët dhe nuk ka kush i mund. Unë këtë çështje ia lë qytetarëve jo opinionistëve dhe jo sondazheve... Unë në asnjë rast nuk mund ta garantojë Kurti që votuesit e LDK-së do ta votojnë LVV-në ose do ta votojnë dikë tjetër, votuesit e LDK-së do ta votojnë LDK-në, në qoftë se ndonjë subjekt tjetër politik heq dorë nga votuesit të vet ose ata heqin nga partia e tyre është punë tjetër, por më këtë që ka qenë deri më sot ne e kemi një proporcionalitet të pritjeve lidhur me votimet dhe në këtë unë besoj që LDK do t’i merr votat e veta dhe LDK do ta merr besimin që ajo ta bëjë qeverinë”, tha ai.

Krejt në fund, Mustafa është pyetur edhe për anëtarët e LDK-së të cilët ditëve të fundit i janë bashkuar Vjosa Osmanit, për çka tha se nuk e minimizon asnjë largim.

Mustafa: Nuk kam pa personalitete që i japin vlerë të re listës së Vjosës

“Në krahasim me atë që kam dëgjuar përpara nga deklarimet e Osmani se aty do të ketë njerëz profesionistë, njerëz që kanë çka t’i japin këtij vendi do të thotë nga këto largimet shumë të pakta të njerëzve nga disa degë tona nuk kam pa personalitete, të cilët as mund t’i japin ndonjë vlerë të re listës së Vjosës as që mund t’i japin ndonjë vlerë të re Kosovës. Unë kisha dashur që ata të jenë të zot, të jenë të mirë, të aftë, të kenë përkrahje të gjerë, por si të tillë nuk janë çmuar dhe nuk janë vlerësuar brenda LDK-së, andaj nuk paraqesin humbje për LDK-në edhe pse unë nuk parapëlqej që asnjë njeri i LDK-së të largohet dhe të kalojë në ndonjë subjekt tjetër, por gjithmonë është zgjidhje e individit”, tha ai.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

***

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i ka uruar sukses Vjosa Osmanit e cila ka paralajmëruar se në zgjedhje do të garojë me një listë të sajë.

"Nuk mund të jap vlerësime, dëshirojë t’i uroj suksese z.Osmani dhe rezultatet në fund do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Kosovës", kështu deklaroi Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së LDK ku edhe bënë të ditur emrin e kandidatit për kryeministër nga kjo parti.

Mustafa bëri të ditur se e gjithë kryesia kanë përkrahur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

"Në kryesi kanë qenë të gjithë, e kanë përkrahur të gjithë që z.Hoti të jetë kandidat i kryeministër. Unë kam biseduar me njerëz për të cilët ka pasur opinione të ndryshëm dhe i kam pyetur por të gjithë kanë vlerësuar se ne e kemi kryeministrin. Nuk kemi vlerësuar në asnjë rast se duhet të kemi ndonjë mandatar tjetër", tha ai.

I pyetur për koalicione, Mustafa tha se edhe më parë ka deklaruar se nuk duhet të ketë vija të kuqe.

"LDK duhet ti heq vijat e kuqe sepse nuk kemi hapësirë në Kosovë që të zbatojmë vija të kuqe, do ti heqim për të gjitha partitë politike. Është mirë që LVV po hyn vet, PDK po hyn vet, AAK po hyn vet, ne po hyjmë vet. Unë jam shumë i bindur në suksesin tonë. Do ta bëjmë maksimumin të komunikojmë me qytetarët", tha ai.

Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të LVV Albin Kurti se do të ketë rezultat të njëjtë sikur në zgjedhjet e mbajtura në Podujevë.

"Deklaratat e tilla nuk i shoh pa një zor të madh. Albin Kurti ndonjëherë mund të jetë racional e ndonjëherë jo. Kur ndonjëherë njerëzit janë në zor e shpallin vetën mbret. Këtë ia lë qytetarëve dhe jo opinionistëve. Votuesit e LDK-së do ta votojnë LDK-në", tha ai.

Kreu i LDK-së ka folur edhe për largimet e disa nga anëtarët e LDK-së për t’iu bashkuar listës së Vjosa Osmanit.

"Osmani ka deklaruar se në listën e saj do të ketë njerëz profesionistë, njerëz çka kanë t’i japin Kosovës, nga këto largime nuk kam pa njerëz që mund t’i japin ndonjë vlerë listës së Vjosës, si të tillë nuk janë çmuar brenda LDK dhe nuk paraqesin asnjë humbje për LDK-në", tha ai.

***

15:54 I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në konferencën për medie ku edhe u zyrtarizua kandidatura e Avdullah Hotit për kryeministër nga kjo parti në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka bërë të ditur se partia e tij, është e hapur për çdo parti tjetër.

Mustafa ka thënë se është herët të flasë për një koalicion me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, duke theksuar se duhet komunikim i mirë dhe besim i ndërsjellë, të cilin, Mustafa tha se e theu Vetëvendosja.

“Unë nuk mund të deklarohem apo jo se pranimi për koalicion nuk varet prej vijave të kuqe, varet prej programeve, mënyrës së komunikimit, sepse neve na ka prishë koalicionin mungesa e një besimi të ndërsjellë, në të cilin ne kemi besuar shumë përpara në Vetëvendosjen. Jam shprehur se LDK duhet t’i heq vijat e kuqe sepse nuk kemi hapësirë në Kosovë të kemi vija të kuqe, jam i bindur që ato do t’i menjanojmë për të gjitha partitë që nesër do t’jenë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Hoti: Jam i kënaqur që LDK ka vlerësuar punën e qeverisë, jam i bindur se do të fitojmë

Kryeministri Avdullah Hoti, pas nominimit nga partia e tij që të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen tha se është mirënjohës që ka marr sërish besimin nga partia e tij.

"Jam tepër i kënaqur që LDK i ka bërë vlerësimin punës së qeverisë. Është arritur të bëhet një punë e jashtëzakonshme. Mbi bazën e kësaj jam mirënjohës për besimin që e kam marr të plotë që të jem kandidat i LDK-së për këto zgjedhje", tha ai.

"Do të dal para qytetarëve me ofertën e re. Jam i bindur se jemi favorit se do të fitojmë në këto zgjedhje", tha Hoti

***

LDK do të kandidojë Avdullah Hotin për kryeministër të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë.

"Ne javën e kaluar kemi diskutuar lidhur me punën e qeverisë. Kemi vlerësuar se qeveria ka bërë punën mirë, ka arritur ta rikthejë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kemi vlerësuar që qeveria ka punuar mirë në luftën kundër pandemisë. Po ashtu, kemi vlerësuar se programi i rimëkëmbjes ekonomike. Vlerësimet tona janë se qeveria nuk ka ra për shkak të mos punës, gjithë kjo ka ndodhur jashtë fajit të qeverisë. Kjo ka ndikuar që edhe sot ne ta konsiderojmë se z.Hoti është kryeministër i kësaj qeverie në vazhdim. Do të vazhdojë të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet", tha ai.

Isa Mustafa ka konfirmuar se Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

Një gjë të tillë e ka bërë në një konferencë për media bashkë me Avdullah Hotin, duke lavdëruar punën e këtij të fundit.

“Vlerësimet tona janë se Qeveria s’ka ra si pasojë e mospunës. Gjithë kjo ka ndodhë, jashtë fajit të Qeverisë. Z. Hoti ka punuar drejt, ka treguar drejt, se edhe vet edhe Qeveria zbaton Ligje”, ka thënë Mustafa.

“Kjo na ka shty që edhe të jetë kandidat i yni për kryeministër”, ka shtuar Mustafa.

(14:59) Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që nënkryetari i këtij subjekti dhe kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që priten të mbahen në fillim të vitit 2021, merr vesh media.

Hoti do të garojë në këto zgjedhje kundër Enver Hoxhaj të PDK-së, ndërsa partitë tjera ende nuk kanë vendosur për kandidatët e tyre për kryeministër.

Vetëvendosje thotë se është duke pritur për aktgjykimin e Kushtetueses në mënyrë që Albin Kurti të nominohet për kryeministër.

AAK-ja ndërkaq ka deklaruar se Ramush Haradinaj do të jetë vetëm bartës i listës e jo kandidat. Edhe ky subjekt pritet që të garojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nisma e Fatmir Limajt ndërkaq ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë me PDK-në.

Mblidhet LDK-ja

Ka nisur mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në të cilën pritet të bëhet i ditur emri i kandidatit për kryeministër nga kjo parti.

Image

Duke hyrë në ambientet e objektit të LDK-së deri tash janë parë të kenë hyrë Agim Veliu, Vlora Dumoshi, Gazmend Muhaxheri, Lumir Abdixhiku e Muharrem Sfarqa.

Në këtë mbledhje pritet që të diskutohet për emrin e kandidatit për kryeministër, si dhe për emrat e kandidatëve për deputet, gjegjësisht për listën zgjedhore.

Ndryshe, edhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri ka konfirmuar se sot Kryesia e LDK-së do të vendos në mbledhje emrin e kandidatit për kryeministër.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat