Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këto zgjedhje janë favoritë për të dalë fitues.
Në emisionin Rubikon ai zbuloi se në listën e LDK-së për deputetë do të ketë edhe emra nga diaspora dhe shumë emra të tjerë, siç i quajti, elitarë, gjë që e bën optimist se do ta fitojnë mbështetjen e qytetarëve.
“Jam i bindur që do të dalim me një listë që do të jetë përfaqësuese e qytetarëve të Kosovës dhe një listë elitare e njerëzve me të cilët ne do të kërkojmë besimin e qytetarëve në këto zgjedhje, dhe kjo me jep besim të jashtëzakonshëm”.
Ai po ashtu foli edhe rreth qeverisjes së tij dhe partnereve të koalicionit duke thënë se për disa vendime nuk duhet konsultuar me ta fare, pasi janë vendimet që i merr vetëm kryeministri.
“Në Qeveri nuk ka qeverisje kolektive. Në krye është veç një kryeministër dhe koalicioni funksionon në bazë të programit qeverisës”.
“Jam kujdesur në baza ditore për të zbatuar marrëveshjet e koalicionit dhe programin qeverisës. Nëse ka indikacion që dikush mund të ndikojë në vendime të kryeministrit, e ka parë që e ka gabim”.
“E marrim shembull rastin me drejtorin e AKI-së. A mendoni që është e përshtatshme në lidhje me të të bëhet marrëveshje politike? Informata që i ka kryeministri nga AKI nuk i din askush tjetër përveç kryeministrit dhe presidentit. Nuk ndahen ato informata me të tjerët, janë çështje shtetërore”.
“I falënderoj partnerët e koalicionit për një bashkëpunim sinqerisht të shkëlqyer, përveç në disa çështje si fusha e dialogut që ka pas insistim nga AAK që të kemi një bashkëqeverisje për këtë çështje”, deklaroi Hoti.