Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Shefin e Kabinetit, Meriton Ramabaja, kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjeksësisë Familjare, Zjarrëfikësit dhe Stacionin Policor në Kamenicë.
Me këtë rast Kastrati i falënderoi të gjithë për angazhimin profesional dhe kontributin e jashtëzakonshëm gjatë këtij viti.
“Natën e fundit të këtij viti, bashkë me Meritonin, po e vazhdojmë me vizita në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Stacionin Policor në Kamenicë dhe Qendrën e Zjarrëfikësve. Të gjithë ata që sot në ndrrimin e motmoteve janë në krye të detyrës, meritojnë respekt maksimal për shërbimin ndaj qytetarëve. Ky vit që po lëmë pas, ishte tejet sfidues për të gjithë e sidomos për personelin shëndetësor dhe atë të sigurisë. Me shpresën se viti 2021 do të jetë më i mirë për të gjithë, gëzuar festat e fundvitit!”, tha Kastrati.
Ndërsa Shefi i Kabinetit, Meriton Ramabaja, duke iu uruar festat të gjithëve, i falënderoi për punën e palodhshme.
“I jam mirënjohës secilit prej jush për punën e palodhshme. Ky vit padyshim që ka qenë sfidues për të gjithë ne, mirëpo angazhimi i secilit prej jush në fushat përkatëse, na e ka lehtësuar situatën”, u shpreh mes tjerash Ramabaja.