Mëngjesi i 17 shkurtit të 2003-tes, ishte i pazakontë për Agim Murtezin nga Lipjani.
Pa ndonjë paralajmërim atë e rrethuan forca të shumta të KFOR-it britanik e italian, të cilët po e përcillnin më shumë se dy vjet, por që Agimi kishte menduar se po kujdesen për rendin publik.
Murtezi, kujtoi momentin ku gjatë qëndrimit në paraburgim e ka parë kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, ndërsa me Vojsllav Sheshelin i kishin dhomat ngjitur, por me të cilin nuk ishte takuar asnjëherë.
“Kur dola në shëtitje, afër dhomës time kishte qenë Shesheli, oficeri më tha lexoje këtë. Kur e pash thash bashkë me kriminelin qenkemi këtu, bashkë afër dhomës, tha ‘no coment’, shkallëve poshtë duke më dërguar për intervistim, kur e shoh kriminelin tjetër Millosheviqin me një zyre”, rrëfen Agimi.
Sa i përket trajtimit në paraburgim, Agimi thotë se nuk ka ndonjë vërejtje.
Derisa kujton këtë ngjarje të pazakontë që i ndodhi në jetë, i përmend edhe arrestimet e fundit nga Specialja.
Momenti i arrestimit të tij, i ngjason shumë me skenat e arrestimit të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
“Më është dhimbsur në shpirt, çfarë arrestimi, e kam njohur edhe më herët. Ka qenë i ndershëm si person si mësues. Sikur mua që më kanë marrë s’ka qenë fare i paralajmëruar, e kanë arrestuar në mënyrën më çnjerëzore”, përfundon rrëfimin Agimin.
Ai lutet që një ngjarje e tillë të mos i ndodhë askujt, ngase ende i ka të freskëta skenat e 17 shkurtit të 2003-tes.