Analisti Blerim Latifi, i cili më parë ishte kandidatë i PDK-së për deputetë, tha se ka menduar se nuk do të ketë nevojë ta shkruaj këtë tekst, por pyetjet e shumta, që në ditët e fundit i kanë dërguar në adresën e tij private, e detyrojnë ta bëj një gjë të tillë.
"Nuk do të jem pjesë e asnjë liste kandidatësh në këto zgjedhje që do të mbahen pas disa javësh. Kur Aristoteli po bëhej gati të largohej nga Athina e trazuar nga dhuna politike, miqtë e tij e pyetën se pse po e bënte këtë. Ai ua ktheu shkurt:
Nuk do t’u japë kënaqësinë athinasve të mi që ta përsërisin edhe njëherë krimin e bërë mbi Sokratin! Edhe unë nuk do t’ua japë kënaqësinë zuzarëve që edhe njëherë, me t’u mbyllur kutitë e votimit, të m’i vjedhin dhe prishin votat, siç bënë në tetorin e vitit 2019", tha Latifi.
Sipas tij ne, fatkeqësisht, vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri në të cilën leximi i vullnetit politik të qytetarëve varet shumë, për të mos thënë krejtësisht, nga komisionerët e kontrolluar e të paguar nga klanet politike. Kjo është rregull, sidomos në luftën e brendshme elektorale të partive politike.