Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla e ka falënderuar ish-Kongresmenin Amerikan, Eliot Engel, për miqësinë dhe mbrojtjen e fuqishme të Kosovës, teksa edhe e ka uruar Kongresmenin e ri, Ritchie Torres.
Ajo tha se miqtë e Kosovës po shtohen në Amerikë duke shtuar se Torres pajtohet që drejtësia duhet të kërkohet dhe sigurohet për të gjitha viktimat e luftës gjenocidale e të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë.
Postimi i plotë:
MIQTË E KOSOVËS NË AMERIKË PO SHTOHEN
Përderisa Kosova e falënderon përzemërisht Kongresmenin Amerikan Eliot Engel për miqësinë dhe mbrojtjen e fuqishme të të drejtave dhe aspiratës sonë për Kosovë të lirë, sovrane dhe të pavarur – që sot po përfundon punën e tij 32 vjeçare në Kongresin amerikan, njëkohësisht urojmë për detyrën e re që do të marrë ditën e sotme, kongresmenin z. Ritchie Torres.
Kisha nderin që verën e kaluar të takohem me kongresmenin Torres, përfaqësues i distriktit kongresional të 15-të (The Bronx), New York, në Dhomën e Përfaqësuesve.
Z. Torres pajtohet që drejtësia duhet të kërkohet dhe sigurohet për të gjitha viktimat e luftës gjenocidale e të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, përfshirë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për vëllezërit Bytyqi, që si shtetas Amerikan u ekzekutuan si pengje të luftës nga forcat paramilitare të Serbisë.
Bashkëbisedimi me të për rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në politikën amerikane, si dhe për inkurajimin e madh e lidhjen e fortë me aktivistin e shquar të çështjes sonë kombëtare z.Harry Bajraktari, janë shpresë e madhe se miqtë e Kosovës në Amerikë nuk do të zvogëlohen asnjëherë, ashtu siç duan e shpresojnë kundërshtarët e Kosovës.
Përkundrazi! Miqësia jonë përditë po forcohet e thellohet.