Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka marrë fjalën në seancën ku pritet të votohet vendimi për dërgimin e ushtrisë së Kosovës në misione paqëruajtëse.
Ai iu është përgjigjur deklaratës së u.d të shefit të deputetëve të VV-së, Liburn Aliu i cili kritikoi qeverinë për kohën që është sjellur në Kuvend ky vendim
Gashi ka thënë se edhe sot e dëgjoi në Kuvend mllefin e thikave dhe sharrave të para disa ditëve.
“Nganjëherë kërkesat e ambasadorëve të një vendi të rëndësishëm janë të pranueshme për të gjithë. Po më vjen keq që po dëgjoj edhe këtu atë mllefin e sharrës së ditës së fundit, apo thikave të para disa ditëve. Ajo që ne duhet të shohim sot këtu është se sot ushtria e Kosovës me lejen e Kuvendit të Kosovës shkon në një mision paqëruajtës me kërkesë të komandës qëndrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është pak, është shumë për një shtet të vogël si Kosova.”, tha Gashi.
Më tutje, Gashi tha Kuvendi ka nderin që këtë vit ta fillojë me këmbë të mbarë.
“Pas një viti të vështirë, sot Kuvendi i Kosovës ka nderin të fillojë me këmbë të mbarë vitin e ri, duke autorizuar pjesëmarrjen e ushtrisë në misione paqëruajtëse në botë në kuadër të gardës kombëtare të shtetit të Iowas. Ky ndoshta është hap i vogël për paqen në botë, por hap i madh për Kosovën. Ushtria e Kosovës e cila u ngjiz në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësinë e Kosovës, sot do të jetë një kontribuese për paqe në botë, si aleance dhe partnere e SHBA-ve. Shtet ky që kontriboi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e ushtrinë e saj.”, tha Gashi.
Ndër të tjera, Gashi tha se ushtria e Kosovës e cila edhe me Kushtetutë është garant i paqes, lirisë dhe sigurisë tonë, nga sot do të kontriboj që paqja të vendoset e të mirëmbahet kudo në botë.