Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kandidimin për deputetë të personave me vepra penale.
Cakolli kërkoi që të fillohet me reformë të mirëfilltë zgjedhore, ku mund të precizohet natyra apo kualifikimi i veprave penale, për shkak të të cilave dikujt i pamundësohet garimi, siç rekomandon edhe Komisioni i Venedikut.
"Deri atëherë, sipas parimit të sigurisë juridike, nuk ndryshohen rregullat e lojës, në mes të saj", shkroi Cakolli në rrjetin social Facebook, përcjell "Bota sot".
Postimi i plotë
Reduktimi i aktgjykimit të Kushtetueses deri në personifikim të tij me një, dy, apo tre persona, nuk i bën nder askujt. I rëndësishëm është përcaktimi që e drejta për t'u zgjedhur nuk qëndron krejt e shkëputur nga e kaluara penale e kandidatëve. Kjo veçse e ka rivendosur ligjshmërinë e zgjedhjeve, që ishte cenuar nga Supremja në vitin 2017.
Nëse ka interes për avancimin e legjislacionit zgjedhor, përfshirë edhe pjesën e përshtatshmërisë së kandidatëve (neni 29.1, pika q), atëherë zgjidhja është e thjeshtë. Le të fillohet me reformë të mirëfilltë zgjedhore, ku mund të precizohet natyra apo kualifikimi i veprave penale, për shkak të të cilave dikujt i pamundësohet garimi, siç rekomandon edhe Komisioni i Venedikut.
Deri atëherë, sipas parimit të sigurisë juridike, nuk ndryshohen rregullat e lojës, në mes të saj.