Glauk Konjufca vlerësoi se në 10 vitet e fundit mbi ligjin janë partitë dhe liderët e tyre. Ai në veçanti iu referua partive të dala nga lufta dhe LDK-së. Konjufca i quajti sundimtarë të ligjit.
Konjufca i ftuar në desku, tha se ka shumë shembuj për këtë.
“Në Kosovë ka sundimtarë të ligjit. Rastin më ilustrativ e kanë pa qytetarët me rrëzimin e qeverisë Kurti. Në fillim këta sundimtarët e ligjit, i qaseshin VV-së ju jeni margjinal, hajdeni në zgjedhje. Ku morëm pjesë në zgjedhje, i vodhën 37 për qind të votave. Ata të thonë hajde në zgjedhje dhe i manipulojnë ato. Më pas, më 2014, u krijua opozita e bashkuar (VV, LDK, AAK), por pas akrobacioneve të Isa Mustafës, LDK-ja doli nga ky bllok. Pra u pa që ishte për shkak të ambicieve për kryeministër, Mustafa e Haradinaj kanë bërë garë se kush po peshon më rëndë te Thaçi, Veseli e Limaj, se kush po e fiton karrigen e kryeministrit në atë kohë. Të dytë kanë qenë të gatshëm, por ne kemi qëndruar dhe kemi mbetur vetëm. Pas kësaj qytetarët kanë filluar të zhgënjehen me PDK-në dhe LDK-në dhe me 2017, VV-ja i ka fituar zgjedhjet, por PAN-i zbuloi ato taktikat që prapë t’i marrim zgjedhjet”, tha Konjufca.
Ai tha se kjo është bërë me qëllim dhe sipas tij, partitë tjera kanë vetëm një frikë.
“Frika e tyre e vetme është që Albin Kurti dhe VV-ja të mos marrin pushtetin. Për atë, e keni parë se sa shpejt gjejnë gjuhë të përbashkët kur është në pyetje VV-ja”, tha ai.