Në dy ditët e ardhshme pritet të zyrtarizohet lidhja e koalicionit të parë parazgjedhor. Bisedimet mes LDK-së së Isa Mustafës dhe AKR-së së Behgjet Pacollit, janë gati të finalizuara.
“Më të avancuara janë negociatat me LDK-në. Unë besoj se tani pas caktimit të datës së zgjedhjeve, epilogu i këtyre negociatave do të marrë formë”, thotë Jetlir Zyberaj, përfaqësuesi i AKR-së.
Ndërkohë, bazuar në një deklarim të para disa ditëve të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kjo parti pranon në koalicion të tjerët, por vetëm nën listën e saj.
“Si LDK mbesim të hapur që në listën tonë mund të hyjnë përfaqësuesit e ndonjë subjekti të vogël politik, por gjithsesi vetëm me listën e LDK-së”, është shprehur më herët Isa Mustafa.
Kjo do të thotë se kushdo që bën koalicion me LDK-në, nuk do t’i figurojë në zgjedhje as logoja e partisë. A do të thotë kjo se AKR-ja e Pacollit po shuhet brenda LDK-së?
“Nuk ndodh dhe është e papranueshme për cilindo subjekt politik, por modalitetet e garimit të përbashkët me ndonjë subjekt tjetër politik, në këtë rast me LDK janë duke u diskutuar në nivelin e liderëve të dy partive politike, por nuk ka të bëjë me shkrirje ose ndonjë formë tjetër.
Janë çështje e modaliteteve, të cilat janë duke u negociuar në mënyrë që rezultati të jetë maksimal në synimin e dy subjekteve politike apo më shumë subjekteve që garojnë bashkë”, shprehet z. Zyberaj.
Tek partitë e tjera, tani për tani nuk ka lëvizje koalicionesh. Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt pati shprehur gatishmëri t’i bashkohet PDK-së. Por në këtë të fundit, rikonfirmuan për Euronews Albania se nuk kanë diskutuar me asnjë parti politike.
“Gara e 14 shkurtit do të zhvillohet në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Është e kuptueshme që partitë e vogla, të cilat janë duke u shuar politikisht po luftojnë për mbijetesë”, është shprehur Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.
Bazuar në vendimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë dhe koalicionet kanë afat të certifikohen nga sot më 8 janar, deri 21 janar.