Analisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka ngjallur hamendësime në opinion se a do të ketë të drejtë Albin Kurti të garojë në zgjedhjet që mbahen në shkurt.
Lushi ka thënë se Albin Kurti duhet të garojë pa u menduar as dy sekonda dhe se Gjykata Kushtetuese nuk guxon të përdorë principin ex post facto.
Ai uron që Kurti dhe VV të sfidojnë mbitejkalimin e kompetencave të një gjykate dhe asessi të mos bëjnë kompromis.
Postimi i tij i plotë:
Unë po të isha Albin Kurti do të garoja për deputet dhe si kreu i Listës së Deputetëve të VV-së pa u hamendur as dy sekonda.
Gjykata Kushtetuese nuk guxon të përdorë principin ex post facto. Ex ante është diçka tjetër dhe ligjet ex-ante për kandidimet dhe garimet në zgjedhje mund t'i paraqesë vetëm Qeveria e ardhme e Kosovës dhe t'i ratifikojë Legjislativi, si dy përfaqësitë e vetme direkte të sovranit.
Le të marri Kurti legjitimitetin e qindra mijëra votueseve dhe le të del Kushtetuesja e t'ja ndalojë mandatin e votuesve. Nëse Kushtetuesja bën diçka të tillë ajo e shkel vullnetin e sovranit dhe tregon që nuk është gjykatë e Kosovës.
Uroj që Kurti dhe VV të sfidojnë mbitejkalimin e kompetencave të një gjykate dhe asessi të mos bëjnë kompromis. Kështu do t'i tregohet Kushtetueses se nuk guxon të dali mbi ingjerencat e saj. Poashtu shpresoj që kur Kurti dhe VV të vinë në pushtet një ndër prioritetet e tyre të jetë ndryshimi i Kushtetutës së imponuar të Kosovës duke e bërë Kushtetutën e shtetit vetëm të Kosovës dhe pa diskriminim.