Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së partisë. Pas kësaj mbledhje është deklaruar nënkryetari Lutfi Haziri i cili tha se do të përpiqen që në ditët në vijim ti kryejnë të gjitha obligimet ligjore dhe kushtetuese që u duhen për zgjedhje.
Haziri theksoi se LDK’ja në këto zgjedhje do të përfaqësohet me persona kredibilë dhe që përfaqësojnë ideologjinë e kësaj partie.
“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim t'i përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK’së me u zbardh. Kanë me qenë emra kredibilë, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK’së duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë “, ka deklaruar ai.
Nënkryetari e pranoi se LDK’ja është duke biseduar edhe me parti të tjera për koalicione, teksa shtoi se kjo çështje do të finalizohet javën e ardhshme.
“Ende nuk ka përfunduar asgjë,. Janë në bisedime. Kryetari i LDK’së dhe kandidati kryeministër kanë autorizimet për të realizuar takime qoftë me parti politike ashtu edhe me eksponent të tjerë. Në vet faktin që janë në bisedime e sipër nuk dua ti diskutojë më shumë por deri javën e ardhshme duhet të zyrtarizohen. Parimisht koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, në kuptim klasik. Do të ketë koalicion e me parti ose individë që përfaqësohen me një listë të përbashkët politike”, ka thënë nënkryetari.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.
Kujtojmë që deri tek kjo situatë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, votë e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”.