Ish-deputeti i PDK, Fatmir Xhelili ka vendosur që përfundimisht të tërhiqet prej angazhimeve të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për këtë, Ramiz Lladrovci, përmes një shkrimi, ka shprehur keqardhje për PDK-në, duke thënë se asaj do t’i mungojë një zë i shkëlqyer dhe racional në interes të PDK-së.
“Ju keni ofruar zgjidhje të drejta, të sakta dhe përafruese. Personalitetet si ju, i bëjnë nder çdo parlamenti, çdo partie dhe çdo përgjegjësie institucionale”m ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Postimi në Facebook:
I nderuari miku im, dr. Fatmir Xhelili,
Vendimi Juaj për të mos kandiduar në zgjedhjet e 14 Shkurtit, ishte lajm i befasishëm. Më erdhi keq për PDK-në se do t’i mungojë një zë i shkëlqyer dhe racional në interes të PDK-së por edhe të gjithë qytetarëve. Por edhe më erdhi mirë sepse po ua lironi rrugën të rinjve, veprim jo i shpeshtë në skenën tonë politike.
Respekti im për Juve, jo vetëm si mik e shok për një mandat në Kuvendin e Kosovës, është i jashtëzakonshëm për jetën dhe veprën Tuaj dhe për personalitetin tuaj të veçantë. Kam admiruar qasjen tuaj humane e pragmatike ndaj çështjeve të ndjeshme të vendit dhe interesit nacional.
Unë kam vlerësuar shumë natyrën tuaj, veprat dhe orientimin e fuqishëm atdhetar në raport me çështjet që i debatonim jo vetëm në Kuvend, por edhe në jetën politike e publike. Ju keni ofruar zgjidhje të drejta, të sakta dhe përafruese. Personalitetet si Ju, i bëjnë nder çdo Parlamenti, çdo partie dhe çdo përgjegjësie institucionale. Për këtë, ndjej respekt të përjetshëm për Juve dhe familjen Tuaj.
Dok, PDK dhe të gjithë që të njohim, kemi nevojë për dijen, përvojën dhe atdhetarizmin tuaj të kulluar!