Si u ngrit Vetëvendosje ndër vite?

Aktuale

Si u ngrit Vetëvendosje ndër vite?

Më: 11 janar 2021 Në ora: 09:23
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, brenda një harku kohor prej më pak se shtatë vjetësh, që nga dimri i vitit 2010 – kur për herë të parë mori pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, deri në pranverën e këtij viti – kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare, arriti një rritje të jashtëzakonshme, të paparë në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Në zgjedhjet e para ku mori pjesë ato të vitit 2010, Vetëvendosje fitoi 14 mandate në Kuvend.

Në ato të dytat, më 2014, 16 mandate. Kësaj here, Albin Kurti dhe përkrahësit e tij u ngjitën te shifra prej 31 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Madje, si parti / entitet i vetëm, Vetëvendosje në realitet ka marrë më së shumti vota të qytetarëve të Kosovës. Në nivelin lokal, Vetëvendosje që nga zgjedhjet e vitit 2013 udhëheq komunën më të rëndësishme (politikisht) dhe më të pasur (financiarisht), në vend, atë të Prishtinës dhe Prizrenit.

Çdo krahasim i rezultateve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë shtatëvjetëshin e participimit të saj në jetën institucionale të Kosovës, e ka të pamundur t’i shmanget faktit evident që rritja më e madhe e saj ndodhi në tre vjetët e fundit, dhe pas fitores së Shpend Ahmetit në garën për Kryetarin e Prishtinës, e cila e bëri humbës të madh Isa Mustafën. Ky duket që është ai momenti i parë, tej mase i rëndësishëm, kur nisi fuqizimi i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, përndryshe, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte nisur të dobësohet, sepse në votën për asambletë komunale ajo ra nën 10%, kishte më pak vota se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.Shpend Ahmeti ngadhënjeu mbi Isa Mustafën, në rrethin e dytë të zgjedhjeve, ekskluzivisht falë rreshtimit të PDK-së dhe votuesve të saj kundër Mustafës dhe për Ahmetin. Duke synuar dobësimin e LDK’së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhej gjithsesi të mbaheshin në vitin 2014, dhe pas shenjave të qarta të një rikthimi të LDK’së në zgjedhjet lokale të vitit 2013, lidershipi i PDK’së mendoi që për fatin e kësaj partie, në zgjedhjet vijuese parlamentare, me rëndësi të madhe ishte që Mustafa të dalë humbës në këto zgjedhje. Ky ka qenë objektivisht një gabim i madh strategjik i PDK’së në atë kohë.

Elementi i dytë i rritjes së Lëvizjes Vetëvendosje ka të bëjë me faktin që në vitet 2015/ 2016, në dy vjetët e para të ekzistimit të legjislaturës së fundit vendore dhe të Qeverisë së Kryeministrit Mustafa, Albin Kurti arriti të tubojë rreth vetes në një front të bashkuar opozitar edhe AAK’në e Ramush Haradinajt, edhe Nismën e Fatmir Limajt. Për më shumë, Kurti imponoi agjendën e vet, që është kombinim i nacionalizmit, populizmit, anti-globalizmit dhe neo-marksizmit, edhe te dy liderët tjerë opozitarë, ashtu sikurse edhe metodat e rezistencës “institucionale dhe jashtë-institucionale”.

Kur ndodhi prishja e këtij bashkimi opozitar, ngjau edhe marrja e “hises” së suksesit opozitar, te te tri subjektet, po aq sa edhe marrja e agjendës që ishte krijuar së bashku. Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kishin të njëjtën gjuhë politike, të njëjtat qëllime, por më nuk ishin së bashku.Prej janarit të këtij viti e këndej, për shkaqe të njohura – ndalimi i tij në Francë, me fletarrestin e Serbisë, Ramush Haradinaj u bë zëri më i fuqishëm opozitar në Kosovë, si dhe i agjendës së trashëguar nga periudha e opozitës së bashkuar. Pritej që koalicioni parazgjedhor AAK dhe Nisma të përfitojnë nga hjekat dhe problemet e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe të ngjiten te 15-16% të votës. Por, në rrethanat e njohura për të gjithë, opozitarizmi agresiv i Haradinajt u bashkua me pushtetarizimin tradicional të PDK’së, në një koalicion të madh parazgjedhor. Në këtë mënyrë, vota opozitare mbeti me një adresë të vetme para zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ky është elementi i tretë i forcimit të Lëvizjes Vetëvendosje.Elementi vijues, i katërti, ka të bëjë me faktin që Vetëvendosje ishte po ashtu adresa e vetme për votën urbane në Kosovë, e cila rëndom abstenon në masë të madhe, ose vendos pak para zgjedhjeve se kah duhet t’ia mbajë. Kësaj radhe, kjo votë kishte tiparin e një ndëshkimi masiv të partive tradicionale, në formë të përkrahjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Natyrisht, as Kosova nuk ka mundur të mbetet imune ndaj dukurisë së rënies së madhe të politikës dhe partive tradicionale në SHBA, Britaninë e Madhe dhe në Europë. Vetëm në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Francë, me paraqitjen e Emanuel Macron, ndodhi që thyerja e madhe e politikës tradicionale të marrë kahjen kah qendra (e majtë), sepse tendencat e mëparshme ishin dyzim i populizmit të djathtë dhe të nacionalizmit ekstremist.Ngritja e Vetëvendosje’s gjithsesi e ka edhe këtë tipar që te ne është reflektim i një ngopjeje me partitë tradicionale, çfarë janë PDK, LDK dhe AAK.

Në rastin e PDK’së, s’ka dyshim që ndërrimi i udhëheqësisë, ose largimi i Hashim Thaçit që u zgjodh President i Kosovës, pati pasoja në rezultatin e zgjedhjeve.Ky është elementi i pestë mbi të cilin ndërtohet forcimi i Lëvizjes Vetëvendosje.Megjithatë, duket që momenti vendimtar – dhe elementi i gjashtë – i ngjitjes së kësaj Lëvizjeje fare pranë pushtetit të Kosovës është trevjetëshi i kaluar i politikës kosovare, që u karakterizua me një fenomen të ri në Kosovë. Një “Qeveri Gjigantësh” – siç u kualifikua fillimisht koalicioni i PDK’së dhe LDK’së, që kishte përkrahjen nominale të 86 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ia la në tërësi iniciativën politike Albin Kurtit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Qeveria e kaluar e Kosovës nuk arriti të marrë vendime të mëdha për vendin, nuk e menaxhoi si duhet çështjen e Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, kaloi në defensivë të plotë në temën e dialogut me Serbinë, dhe mbi të gjitha, nuk kishte fare PR të vetin.

Kjo zbrazëti politike u mbush me të madhe nga opozita, në radhë të parë nga Albin Kurti dhe Lëvizja e tij, gjë që u reflektua pastaj në rezultatet e zgjedhjeve.Apatia e rëndomtë e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote – mbi 50% të votuesve shqiptarë në Kosovë hynë në këtë kategori – është elementi i shtatë dhe final. Këta janë abstenues kronikë, të cilët nuk arriti t’i mobilizojë as politika tradicionale, as ajo e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dikush mund të shtojë këtu që nuk duhet lënë anash, si një faktor shtesë në rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe ndryshimet evidente në paraqitjet vizuale dhe politike të Albin Kurtit dhe kolegëve të tij, që i veshën kostumet me kollare dhe bënë përpjekje për evoluim në qasjen e tyre ndaj shtetit të Kosovës, simboleve të tij dhe në raportet me Perëndimin. Megjithatë, ky ndryshim vështirë që ka mundur të bindë shumëkënd në Kosovë, prandaj supozohet që nuk ka luajtur rol të veçantë në rezultatin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje. /Politico

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat