Koalicioni LDK-AKR, vjen lajmi i fundit nga Isa Mustafa

Aktuale

Koalicioni LDK-AKR, vjen lajmi i fundit nga Isa Mustafa

Më: 11 janar 2021 Në ora: 13:16
Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafa

Koalicionet parazgjedhore në këto zgjedhjet e fundit nuk po dalin të jenë shumë të pëlqyera për partitë politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vendosur që këto palë zgjedhje të garojë e vetëm, por me një listë të kandidatëve për deputet me përbërje edhe të partive të tjera.

Kështu së paku u shpreh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një prononcim.

“Kemi vendosur që të mos kemi koalicionet siç jemi mësuar t’i shohim zakonisht, por që jemi të hapur t’i lëmë vende edhe partive të tjera që të garojmë së bashkë më një listë të përbashkët të deputetëve”.

Në pyetjen tonë, se a ka pranuar AKR-ja që të garojnë në kuadër të listës së LDK-së, Mustafa u shpreh se kanë biseduar dhe se janë të pajtimit për këtë ka mbet vetëm të definohen edhe sa persona do garojnë nga kjo parti.

“Ne kemi pasur bisedime me AKR-në, ku i kemi dhënë hapësirën e duhur që të garojnë nën listën tonë zgjedhore si dhe mbetet gjatë ditës së sotme ta finalizojmë atë. Kandidatët nga AKR do të jenë më pak se 10, pasi do kemi edhe emra të tjerë të partive tradicionale që kemi bashkëpunuar me ta” – deklaroi Mustafa.

Ndër të tjera. Mustafa theksoi se gjatë ditë së sotme pritet edhe të dorëzohen gjitha emrat e kandidatëve për deputetë që janë propozuar nga degët e LDK-së.

E vëmendje më të madhe LDK, këtë herë i ka dhënë edhe diasporës. Kryetari Mustafa tha se gjithmonë ka pasur kërkesa nga diaspora, që të kenë kandidatët e saj dhe tani ka ardhur koha që edhe ata të kenë përfaqësuesit e tyre.

“Ne kemi degët tona në Zvicër, Gjermani dhe shtetet e Beneluksit ku çdo herë kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e listave zgjedhore me përfaqësuesit e tyre, mirëpo, deri sot nuk kemi mundur, por tani është koha dhe do shohim që edhe ata të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të hapur për diasporën gjithmonë, por, votat nga diaspora është më e ndërlikuar prandaj edhe shumë herë kemi hezituar” – u shpreh Mustafa për Syrin.

Kreu  i LDK-së, tutje shtoi se si parti kanë formuar edhe shtabin zgjedhorë dhe ka filluar ekipi të dalë në terren dhe të punojë me strukturua.

Deri më tani asnjë parti nuk ka dalë me ndonjë dëshirë për të pasur koalicion parazgjedhor me dikë, të gjitha janë shprehur që do garojnë të vetme, më përjashtim të LVV-së që pritet të ketë një koalicion me iniciativën e Vjosa Osmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat