Reshjet e fundit kanë shkaktuar dëme në disa vende në Kosovë. Si pasojë e reshjeve ka pasur grumbullim të ujit edhe në Klinikën e Pulmologjisë.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë se në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë ka pasur grumbullim të ujit.
Ai ka thënë se ekipet teknike të QKUK-së bashkë me ekipet e specializuara e zjarrëfikësit kanë intervenuar për ta hequr ujin.
“Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të intensitetit të lartë ditëve te fundit, në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka pasur grumbullim të ujit.
Ekipet teknike të QKUK-së kanë intervenuar për largimin e ujit, ndërkohë në ndihmë të tyre kanë dalë edhe ekipet e specializuara të FSK-së, zjarrfikësit e qytetit dhe ata të nivelit qendror.
Pas angazhimit të tyre është arritur që uji të largohet në tërësi”, ka thënë Fazliu.
Ai shton se puna është duke vazhduar normalisht në këtë klinikë.
“Puna në Klinikën e Pulmologjisë është zhvilluar normalisht dhe pacientëve u janë ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme shëndetësore”, thotë ai.