Ndahen mjetet shtesë për zgjedhjet e parakohshme

Aktuale

Ndahen mjetet shtesë për zgjedhjet e parakohshme

Më: 11 janar 2021 Në ora: 19:09
Foto Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 165 mijë e 850 euro.

Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi.

Në përputhje me këtë vendim, thuhet se puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat