Humanisti dhe ish-i burgosuri politik Ismet Shamolli aderon në AAK

Aktuale

Humanisti dhe ish-i burgosuri politik Ismet Shamolli aderon në AAK

Më: 13 janar 2021 Në ora: 13:39
Ramush Haradinaj dhe Ismet Shamolli

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot i është bashkuar edhe ish-i burgosuri politik Ismet Shamolli.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ismet Shamolli, ndërmarrës, do të jetë pjesë e listës së AAK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ismeti ka filluar studimet në Prishtinë dhe i ka përfunduar në Gjermani, në degën Elektronikë dhe Makineri. Pasi kthehet në Kosovë, aktiviteti i tij atdhetar, do të bie në sy të organeve serbe. Ai do të dënohet disa herë me burg, në vitin 1986 në Gjilan, 1989 në Ferizaj, ndërsa pasi i konfirmohet dënimi me pesëmbëdhjetë vite burg, ai ikën në vitin 1991 në Tiranë”, ka shkruar Haradinaj.

Shamolli në vitet e ’80-ta kishte hapur “Mullirin Popullor” në komunën e Vitisë prej të cilit ishin furnizuar rreth 20% e qytetarëve nevojtarë.

“Ismet Shamolli njihet për vepra bamirësie. Në fund të viteve të '80-ta, ai hapi "Mullirin Popullor" në Vërban të Vitisë, ku deri në 20% të prodhimit ipej për nevojtarët. Aktivitetet e bamirësisë i vazhdon edhe në Tiranë, në vlera shumë të mëdha, ku pozicionohet edhe në ndihmë për Luftën Çlirimtare. Pas çlirimit, ai hapi shumë vende pune, në sektorin e ndërtimtarisë, biznes që e vazhdon me shumë sukses”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, e kaluara patriotike e Shamollit ia ka lehtësuar vendimin për të rrugëtuar bashkë me Aleancën.

“Rrugëtimi i tij jetësor patriotik, ia bëri më të lehtë vendimin për inkuadrim në Aleancë. Mirë se erdhe në shtëpinë e madhe, Ismet Shamolli!”, ka përfunuar Haradinaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat