Anëtarja e Lidhjes Demokratike (LDK) të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë që kjo parti është e gatshme që të shkojë e vetme në zgjedhje.
“LDK’ja zakonisht ka shkuar e vetme në zgjedhje dhe është e përgatitur që t’i prij këtij cikli zgjedhor, sepse që 31 vite merr pjesë në vazhdimësi në zgjedhje. Besoj shumë që votuesit të vazhdojnë dhe të besojnë në LDK’në”, ka thënë ajo, në emisioin “Frontal”.
Më tutje ish-deputetja e LDK’së ka thënë që besimi i qytetarëve për partinë nuk është lëkundur.
“Nuk besoj që LDK’ja do ta ketë vendin e tretë, sepse në kontakt me qytetarët dhe votuesit e tanë po e shoh që ata nuk kanë lëvizë në besimin dhe në bindjen që e kanë për LDK’në”, ka deklaruar Bunjaku.
E pyetur nga gazetari Arsim Lani për iniciativën e Vjosa Osmanit, ajo tha se shpreson që Osmani nuk do ta dëmtojë LDK’në në zgjedhje.
“E përgëzoj Vjosa Osmanin për guximin dhe i dëshiroj suksese në zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt. Besoj që ajo nuk do ta dëmtojë LDK’në dhe nuk do të duhej që ta dëmtojë. Duhet që votuesit e LDK-së dhe elektorati i LDK’së të mos i jap rastin atyre që dalin nga shtëpia e vet sepse po mbetet kjo që kush po del nga LDK’ja po e ka mbështetjen dhe pastaj partinë po e presin problemet. Votuesit e LDK’së duhet ta mbështesin atë që i ka ndenjur besnik shtëpisë së vet që është LDK’ja”, ka thënë Bunjaku.