Kanë nisur publikimi i disa emrave të kandidatëve për deputet nga secila parti, për zgjedhjet e 14 shkurt.
Edhe pse asnjëra parti ende nuk i ka përfunduar listat e këtyre kandidatëve, opionin po pret me shumë kureshtje të dijë se kush do hyje, kush do të mbetet jashtë.
Dje degët e Vetëvendosjes treguan emrat e kandidatëve për deputetë, e në mesin e tyre mungonte, Hekuran Murati që në zgjedhjet e 6 tetorit ishte në top 5 më të votuarit nga ky subjekt.
Syri.net ka kontaktuar zyrtarin për mediat të VV-së, Arlind Manxhuka, për të marr një sqarim rreth kësaj dhe emrave të tjerë të mos përfshirë, ai ka thënë se ende nuk ka përfunduar lista.
Sipas tij, pjesa e mbetur e kandidatëve për deputetë do të plotësohet nga kryesia e partisë dhe vetë kryetari.
“Në fillim të javës kemi shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatë për deputetë nga qendrat tona. Sipas Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të zgjedhurit nga Këshillet e Qendrave do të përbëjnë ½ e listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pjesa tjetër e Listës, pra gjysma tjetër, do të plotësohet nga Kryesia (¼) dhe Kryetari i Lëvizjes (¼). Shumë shpejt, e gjithsesi para afatit të përcaktuar nga KQZ-ja, do të bëhet publike edhe lista e plotë e kandidatëve për deputetë”, tha Manxhuka.
Afati për dorëzimin e listave të partive në KQZ përfundon të shtunën më 16 janar në ora 18:00.