Zyrtari i Lidhjes Demokratike në Kosovë, Arben Gashi ka thënë se qëndrimet e ish-kryeministrit Albin Kurti sa ishte në krye të ekzekutivit kishin sjellë sanksione të njëpasnjëshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur për disa ditë rresht në Kosovë derisa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti.
Sipas tij, qëndrimi i Albin Kurtit solli sanksione të njëpasnjëshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai përmend njohjen nga Xhamajka, fondet, ushtrinë e blerjen e armatimit.
“Masat që janë marrë ndaj Kosovës: E dini se çfarë ka ndodhur me skandalin për bllokimin e njohjes nga Xhamajka. Çka ndodhi që njohja nga Xhamajka shkoi deri në Uashington, e deri në Prishtinë u zhduk”, tha fillimisht Gashi në kallxo.com.
Tutje ai ka përmendur edhe sanksionet e tjera që sipas tij i janë vendosur Kosovës.
“Në ditët pasuese, prej skandalit të Xhamajkës, Kosovës i janë blloku fondet e mileniumit, 200 milionë dollarë. Pas kësaj, Kosovës i janë bllokuar fondet dhe e drejta për të blerë armatim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën tjetër, Ushtrisë së Kosovës i janë bllokuar të gjitha trajnimet në institucionet e NATO-së dhe Ushtrisë amerikane”, thotë Gashi.
“Në ditën pasuese është ndalur komunikimi zyrtar me Qeverinë e Kosovës, përfshi edhe me zëvendëskryeministrin tonë, duke i thënë se jeni pjesë e Qeverisë”, rrëfen ai.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës kishte votuar rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit me votat e LDK-së.