Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë i ka dhuruar Kosovës donacion pajisje dhe produkte mjekësore.
Dhurimi i këtyre pajisjeve u bë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ky donacion do t’i ndihmoj shumë punëtorëve shëndetësorë gjatë punës.
Ai tha se donacioni përmban pajisje medicionale në vlerë prej 2.17 milionë eurosh.
“Ky donacion dhe ky bashkëpunim përmban shumë pajisje dhe produkte medicionale, vlera e tij është 2.17 milionë euro. Kur ke miq dhe partner si Gjermania, të cilët e ndihmojnë SHSKUK-në, ata ja lehtësojnë punën drejtorit dhe profesionistëve shëndetësore dhe na ndihmojnë ne që ta përmirësojmë sistemin tonë shëndetësorë”, tha Zemaj.
Zemaj tha se Kosova është një ndër vendet që e ka në menaxhim më të mirë pandeminë COVID-19.
Ai tha se do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë, derisa falënderoi shtetin gjerman për ndihmën.
Ndërsa, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se e gjithë Evropa është duke u përballur me valën e dytë të virusit COVID-19, derisa bëri apel që qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse.
“E gjitha Evropa po përballen me një valë të dytë të COVID-19 dhe askush nuk është i sigurt. Dua të bëjë edhe njëherë apel për respektimin e masave të vëna nga Qeveria. Gjermania ka përjetuar dje numrin më të madh të vdekjeve dje, 1 mijë e 200 vdekje. Është shumë me rëndësi të ndiqen direktivat e dhëna nga institucionet”, shtoi ai.