Bashkimi politik Kurti-Osmani, juristi: Ja pse nuk mund të marrin postin e presidentit

Aktuale

Bashkimi politik Kurti-Osmani, juristi: Ja pse nuk mund të marrin postin e presidentit

Më: 14 janar 2021 Në ora: 17:29
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin dhe iniciativa e Vjosa Osmanit, pohuan publikisht  se do të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 14 shkurtit. Me këtë marrëveshje të nënshkruar, nëse lista e tyre del fituese në zgjedhje, atëherë llogaritë e VV-së janë të marrë postin e kryeministrit, ndërsa Osmani atë të presidentes.

Drejtuesi i Organizatës Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha në Euronews Albania se ky bashkëpunim Kurti-Osmani ishte i pritshëm dhe lista e tyre shtoi ai do jetë fituese.

“Po, është një marrëveshje e pritur duke pasur parasysh se ka pasur një bashkëpunim në mes këtyre dy liderëve në dy vitet fundit. Këto dy figura në publik shihen me integritet dhe nuk janë të njohur për ndonjë aferë, që dobëson besimin e qytetarëve. Ky bashkëpunim padyshim do të dalë i pari, por varet sa do të jetë %  e ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai thotë se synimi i Kurtit dhe Osmanit për të marrë postin e presidentit matematikisht është i parealizueshëm. Sipas tij, zgjedhja e presidentit kërkon së paku 80 vota, numra këto, që nuk mund t’i sigurojnë dot në zgjedhjet e shkurtit.

“Është pakt i pritshëm, por i parealizueshëm në praktikë. Mund të them se z. Kurti nëse.. flas gjithmonë nëse do të ketë numrat në Kuvend del partia e parë dhe lehtësisht mund të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës, por çështja është ndryshe tek emërimi i presidentit të Republikës së Kosovës, pasi nga 120 ulëse, duhet që së paku 80 ulëse duhet të jenë prezentë në ditën kur bëhet emërimi i presidentit. Në këtë drejtim është utopike që VV dhe kjo nismë e përbashkët mund të marrin mbi 60 deputetë, dhe pastaj duhet që t'i kenë edhe 20 vota nga partitë e tjera”, tha ai.

Ai shtoi se PDK-ja dhe AAK-ja nuk pranojnë të hyjnë në koalicion pa marrë njërin nga postet e rëndësishëm, qoftë kryeministrin apo dhe presidentin.

“Duke pasur parasysh kontekstin, pothuajse qoftë PDK, qoftë dhe AAK do ta kenë të vështirë, që të hyjnë në një koalicion me VV dhe të mos marrin së paku një nga dy pozitay kryesore në Kosovë, kryeministrin apo presidentin”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat