Flet Albin Kurti pas nominimit si kandidat për kryeministër, thumbon LDK-në

Aktuale

Flet Albin Kurti pas nominimit si kandidat për kryeministër, thumbon LDK-në

Më: 14 janar 2021 Në ora: 18:16
Albin Kurti

(E plotësuar 18:29) - Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht ka nominuar liderin partiak, Albin Kurti për kryeministër të vendit. Kurti mori mbështetje unanime për të parin e ekzekutivit në mbledhjen e sotme të këshillit të përgjithshëm të partisë.

E kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti tha se fitorja në zgjedhjet e 14 shkurtit do ta bëjë ndryshimin në vend. Derisa edhe paralajmëroi reciprocitet me Serbinë dhe forcim të marrëdhënieve me ShBA-të.

Kurti: LVV do të fitojë zgjedhjet dhe bëjë ndryshimin në Kosovë

“Le të bashkojmë besimin dhe të dërgojmë mesazhin se qytetarët e bashkuar bëjnë gjithçka të mundur. E qytetarët kanë vendosur se LVV të fitojë zgjedhjet, të formojë qeverinë dhe të bëjë ndryshimin e Kosovës. E kjo do të bëjë që secili prej nesh të marrë përgjegjësitë që na takojnë”, tha ai.

Kurti para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, tha se anëtarësimi i Kosovës në BE është një proces i pandalshëm.

Kurti: Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet dhe bazën e të kaluarës

“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet dhe mbi bazën e të kaluarës së afërt që ende nuk është mbyllur. Gjithçka do të nis me evidentimin e dëmeve të luftës, personave të pagjetur dhe dënimin e kriminelëve. Marrëdhënia me ShBA-të do të forcohet, Kosova e ka aleat ShBA dhe këto marrëdhënie do të forcohen. Anëtarësimi në BE është një proces i pandalshëm, lidhja e fuqishme me Gjermaninë është e domosdoshme”, tha ai.

Kandidati për kryeministër i LVV-së, adresoi edhe akuza ndaj ish-partnerit qeverisës LDK, duke thënë se braktisi rrugën e përbashkët dhe theu mirëbesimin e tyre.

Kurti: LDK braktisi rrugëtimin e përbashkët

“LDK braktisi rrugëtimin e përbashkët, braktisi luftën ndaj korrupsionit theu mirëbesimin e ndërtuar për dy vite si opozitë e përbashkët dhe shkeli programin qeverisës”, tha ai.

Derisa e propozoi kandidaturën e Kurtit për kryeministër, bashkëpunëtori më i afërt i tij, Glauk Konjufca tha se Albin Kurti është ai që punoi e nuk u tremb kurrë.

Konjufca: Albin Kurti punoi më së shumë nga ne dhe u tremb më së paku

“Ju e dini se cili nga ne punoi më shumë, ai që u trembë më së paku dhe ai që përveti nuk kërkon kurrë asgjë. Kam nderin të prezantojë simbolin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës... unë në LVV nuk jam vetëm aktivist, jam dëshmitar i Albin Kurtit njëri, aktivist, shokë, deputet dhe dëshmitar i Albin Kurtit kryeministër”, tha ai. 

Kurti thumbon LDK-në

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryeministër të liderit, Albin Kurti.

Ai më këtë rast tha se është momenti kur e ardhmja e vendit tonë, varët nga veprimi i secilit prej nesh. Ai ka ftuar qytetarët të votojnë, pa dallim, që të gjithë t’i përgjigjen thirrjes për ndryshim.

“Qytetarët ishin të gatshëm dhe shënuar në histori 6 tetorin 2019, me numër rekord që dolën në zgjedhje. Rezultatin e dimë të gjithë, partneri ynë i koalicionit shkeli shpresën për ndryshim, braktisi luftën e përbashkërt. Theu mirëbesimin dhe shkeli mbi muaj të tërë dhe shkoi sa e tradhëtoi edhe kandidaten e tyre për kryeministër.

LDK e dëshmoi që forca e tërheq me PAN hajninë që është më e fortë se çdo gjë.

Sot çdo qytetari i kujton nata e 25 marsit, ku duart e zgjatura votuan për rrëzim të qeverisë në kulmin e pandemisë.

Nga ne kërkohej të bëjmë kompromis, por ne jemi VV s’bëjmë kompromis as për vota.

Më 14 shkurt na u dha një shans i dytë dhe kësaj radhe s’rrezikojmë më, sepse shoqëria e ka parë dhe kuptuar e mësuar kush është ndryshimi e ky ndryshim e ka emrin VV.

E ardhmja ku fëmijët tanë marrin edukimin e tyre, ku investojmë në ekonomi të qëndrueshme, e ardhmja ku bizneset s’i vendosur ryshfeti e as haraçi. Ku bujku punon, sepse shteti i mbron dhe duke hapur dyert e eksportit.

Jeta e secilit është e vlefshme dhe e barabartë njëlloj, ku ndahet mirëqenia sociale. Ku shteti lufton pabarazitë”, tha ndër të tjera Kurti.

Ai ndër të tjera tha se miqësia me SHBA-në është e shenjtë, po ashtu edhe me shtetet e tjera. Derisa integrimi drejt BE-së është pjesë e rrugëtimit që ka zgjedhur.

Kurti pas kandidimit për kryeministër: Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet

Kryetari i VV’së, Albin Kurti në mbledhja e 43-të e Këshillit të Përgjithshëm është propozuar si kandidat për kryeministër. Në fjalën e tij Kurti tha se në marrëdhëniet me Serbinë, Kosova do të aplikojë parimin e reciprocitetit.

“Marrëdhëniet me Serbisë do të ndërtohen mbi reciprocitet mbi bazën e të kaluarës së afërt që nuk është mbyllur, me gjetjen e personave të zhdukur dhe me ndjekje të kriminelëve të luftës”

Tutje Kurti tha se me qeverinë e ardhshme marrëdhëniet me ShBA’në do të forcohen.

“Marrëdhëniet me ShBA’në në qeverinë tonë do të forcohen. Kosova e ka aleat të madh Amerikën dhe interesat tona janë të përbashkëta, forcimi i Ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO mbesin prioritetet e qeverisë së ardhshme”, tha Kurti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhje të dalin dhe të votojnë për partinë e tij.

“Ndodhemi në një pikë të rëndësishme për Republikën, mendojeni dhe peshojeni mirë këtë moment. Gra e burra vajza e djem mërgimtarë dilni dhe votoni për një të ardhme me Lëvizjen Vetëvendosje. Fëmija i një bujku në Kaçanik duhet të ketë mundësi të barabartë sikur një fëmijë i një avokati në Prishtinë. Mërgata jonë më në fund do të marr rolin që i takon në shoqërinë tonë”, u shpreh Kurti.

***

Lëvizja Vetëvendosje është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Në këtë mbledhje u vendos edhe zyrtarisht që Albin Kurti të jetë kandidat i LVV-së për kryeministër.

Edhe pse ishte e ditur, nga sot zyrtarisht, Kurti do të jetë kandidati për kryeministër i LVV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image

Po ashtu sot LVV ka lidhur marrëveshje me Iniciativën e Vjosa Osmanit për koalicion para zgjedhor.

***

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, në praninë e 166 delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka propozuar Albin Kurtin për kryeministër, nga ky subjekt politik.

Teksa ka thënë se shumica e qytetarëve po e mbështesin konceptin politik të LVV-së, ai ka shtuar se “Njerëzit tanë e duan luftimin e korrupsionit, populli don drejtësi, barazi e mirëqenie”.

“E lehtë kësaj radhe do të jetë vetëm fitorja, e vështirë është rruga e gjatë e transformimit të shtetit tonë”, shtoi ai.

Por, para se ta propozonte Kurtin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Konjufca thuri shumë lavde për të.

“Erdhi dita ta bëjmë një pyetje, kush është më meritori për këtë rrugëtim të Vetëvendosjes? Kush nuk u lodh bash asnjë sekond duke ecur me Vetëvendosjen? Në përplasje me pushtetin e korruptuar e nëpër burgje duke luftuar për drejtësi, ai që u tremb më së paku e që për vete nuk kërkon kurrë asgjë, kam nderin e rastin e veçantë ta prazentoj simbolin e Vetëvendosjes për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin”, tha ai ndër të tjera.

“Unë nuk jam veç aktivist në Vetëvendosje, jam edhe dëshmitar. Jam dëshmitar i Albin Kurtit një, i Albin Kurtit aktivist, jam dëshmitar i Albin Kurtit shok, jam dëshmitar i Albin Kurtit deputet dhe jam dëshmitar i Albin Kurtit kryeministër”, përfundoi Konjufca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat