Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate drejtuar mediave.
Masat janë lehtësuar për disa sektorë, duke vënë në theks edhe zgjatjen e orarit të punës për bizneset.
Por, masat nuk kanë ndryshuar për personat mbi 65 vjeç, të cilët janë edhe më të rrezikuar nga përhapja e virusit.
"Personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues, thuhet në vendim.