Subjektet politike dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë, deklarohet KQZ-ja

Aktuale

Subjektet politike dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë, deklarohet KQZ-ja

Më: 16 janar 2021 Në ora: 17:46

(E plotësuar 18:24) - Partia e Etem Arifit dorëzoi listën e kandidatëve për deputetë

Partia e Ashkalinjve për Integrim ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Qazim Rrahmani nga kjo parti tha se janë të gatshëm për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

I pyetur se a janë siguruar që të mos bëhen gabime si në rastin e Etem Arifit, ai tha se nuk ka qenë gabim i tij.

“Edhe në kohën e zotëri Arifit nuk ka qenë gabim i Partisë së Ashkalinjve për Integrim ka qenë gabimi institucioneve të cilat janë marrë me këtë punë. Nuk ka qenë gabim i PAI-së, por ka qenë gabim i organeve dhe institucioneve”, ka thënë ai.

***

Edhe Nisma dorëzon listën me kandidatët e vet: Do të jemi befasi e këtyre zgjedhjeve

Endrit Shala nga Nisma Social Demokrate mendon se do të jenë befasia e këtyre zgjedhjeve, pasi dorëzoi listën me kandidatë për deputetë në KQZ, transmeton Periskopi.

Shala komenton edhe refuzimin e PDK’së për të hyrë në koalicion parazgjedhor.

‘’Lista jonë do të jetë që premton të ardhme të Kosovës dhe ruajtjen e historisë dhe së kaluarës së saj. Nisma asnjëherë s’do të shkrihet edhe nëse dikush tenton me veprime të ulëta ta minojë dhe dëmtojë. Do të jemi befasi e këtyre zgjedhjeve.’’, ka thënë Shala.

***

 Edhe Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e kandidatëve për deputetë, në listën  ku janë të inkorporuar edhe emrat nga lista e Vjosa Osmanit.

Nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, para mediave ka thënë se nga lista e plotë e VV-së, 41 kandidatë do të jenë gra.

“Anëtari jonë në KQZ sapo dorëzoi listën e kandidatëve të VV-së bashkë me deklaratën e marrëveshjes me Vjosa Osmanin”, tha ai.

“Ne kemi një shtresë të kandidatëve që përfaqëson çdo shtresë të shoqërisë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti se deri sot nuk ka pasur asnjë listë që ka pasur më shumë gra, lista i ka 41 gra”, tha ai.

Ndërkaq nënkryetari i VV-së nuk iu përgjigj pyetjes  se sa vende janë të rezervuara për listën e Vjosa Osmanit.

“Është një listë e përbashkët, ku i kemi edhe kandidatët e iniciativës së Vjosa Osmanit. Albin Kurti me Vjosa Osmanin kanë përgatitur bashkë listën që i delegohet  kryetarit”, tha Bislimi.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Këtë listë e dorëzoi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se sado që kjo garë do të jetë e ashpër, beson se LDK-ja do të jetë fituese.

“Besoj se është lista më e mirë në këtë garë zgjedhore. Listë e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti. Megjithëse do të jetë një garë e ashpër, LDK-ja do të dal fituese në këtë garë. Kemi një proces të verifikimit nga KQZ-ja, prandaj do ta presim edhe atë pastaj do të prezantojmë kandidatët”, tha Abrashi. 

***

18:04 Subjekteve politike u ka mbetur vetëm edhe pak minuta që të bëjnë aplikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se janë duke pritur aplikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Deri në orën 17:00 kemi pranuar aplikimin e 18 subjekteve politike, pra nga 11 parti politike, 1 koalicion dhe 5 iniciativa qytetare, me gjithsej 339 kandidatë”, ka thënë ai.

***

17-50 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia "Fjala", kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë për certifikim në KQZ.

Avni Çakmaku, anëtari i kryesisë së partisë “Fjala”, tha se pret nga këto zgjedhje të jashtëzakonshme që të ketë ndryshim, e që sipas tij është i domosdoshëm.

Çakmaku: Shpresojmë që do të jetë mbarëvajtja e mirë

"Ato vlera të cilat nevojiten Kosovës të jenë prezente e jo i gjitha kalkulimi i gjitha partive politike të cilat e kanë pasur ekzekutivin, por edhe legjislativin kanë punuar me një kod moral, i cili e ka degraduar shoqërinë kosovare tej mase. Shpresojmë që do të jetë mbarëvajtja e mirë, shpresojmë që nuk do të na mohohet e drejta që t'i kemi komisionerët tanë të cilët do të na ruajnë votën e fjalës", ka deklaruar ai.

Listën e ka dorëzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, megjithatë ata nuk kanë dashur të flasin para mediave.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri në ora 18:00, pret aplikimi e subjekteve politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat